Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çipa pret “vjeshtë të nxehtë” në Ballkan

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka dhënë një pikëpamje sa i përket zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor, për çka ka thënë se ekziston rreziku që të ketë “vjeshtë të nxehtë”.

Në një intervistë virtuale të premten për Interaktivin e KTV-së, Çipa e ka konsideruar të gabuar marrëveshjen e Qeverisë së Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe, e cila është miratuar të premten nga Qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviq.

“Marrëveshja themelore që po përpiqet të shtyhet nga ai dhe që është dakorduar me Kishën Ortodokse Serbe është e gabuar që nga pikëpamja politike, juridike por edhe fetare. Është një veprim naiv i Abazoviqit”, ka thënë Çipa duke shtuar se ky zhvillim e dobëson rolin e tij.

Sa i përket protestave që po mbahen për disa ditë me radhë në Maqedoninë e Veriut, Çipa ka thënë se partia opozitare VRMO-DPMNE, nuk ka ndryshuar qëndrimin që e ka pasur edhe para rënies së Nikola Grueskit, duke shtuar se këto qëndrime janë ekstremiste në raport me integrimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike.

“Është fatkeqësi që pavarësisht viteve që kanë kaluar nga rënia e z.Grueski, VRMO nuk ka ndryshuar qëndrim, duke mbetur me qëndrime ekstremiste në raport me integrimin e Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike, dhe me faktin që i nxit gjithnjë ndjenjat nacionaliste dhe ekstremiste në raport me komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ka vend për dy qasje për krizën aktuale politike, një është në vazhdimësi të asaj çka ndodhi në Bullgari, rënia e qeverisë së Petkov, nga ana tjetër besoj se protestat aktuale krijojnë reminishenca me protestat që pushtuan Shkupin dhe Maqedoninë më gjerë në raport me marrëveshjen e Prespës. Ka reminishenca qoftë në mënyrën ekstremiste se si po zhvillohen protestat, qoftë edhe në fushata aktive të deziformimit që kanë gëluar në rrjetet sociale e në media”, ka thënë ai.

Edhe Çitaku: Kosova po izolohet e Serbia po thellon partneritetin strategjik me SHBA-në Arbëri 1 j. më parë Çitaku: Kosova po izolohet e Serbia po thellon partneritetin strategjik me SHBA-në

Çipa ka shtuar se propozimi francez për këtë vend “do të shkojë para pasi ka një vullnet politik nga qeveria aktuale, mbështetur nga komuniteti dhe liderët shqiptarë”.

“Mendoj se do të shkojë para propozimi francez pasi ka një vullnet politik të paktën nga Qeveria aktuale, mbështetur nga komuniteti dhe liderët shqiptarë atje dhe paraqet mundësinë e vetme për të avancuar në këtë stad. Është një rast që nuk duhet humbur pasi sa më shumë mbahet peng dhe mbet pas në presin e integrimit evropian, aq më shumë ka elemente për të ushtruar presion mbi të”, ka thënë ai.

Sa i përket protestave në Tiranë, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se zhvillimi i fundit në kryeqytetin shqiptar ndryshon thelbësisht nga ato çka janë parë në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

“Ajo çka ndodhi në Tiranë është se ka pasur një motivim të bazuar mbi gjendjen socio-ekonomike mbi vend dhe çka opozita i konsideron vepra të mëdha korruptive nga qeveria aktuale. Mbetet në dorë të qeverisë për të reaguar dhe për të treguar se i ka parasysh shqetësimet e qytetarëve dhe të mos lejojë një lloj rritje të mëtejshme të këtyre reagimeve të qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar rritje të çmimeve në vazhdimësi, ndërsa vështirësitë me të cilat po përballen qytetarët do të vazhdojnë të rriten.

“Parashikohet që të ketë një vazhdimësi të rritjes së çmimeve, këto kosto që vazhdojnë të rriten, do të përshkallëzojë edhe më shumë vështirësitë që kanë qytetarët për të përballuar koston e jetesës në sens më të gjerë. Për këtë nevojiten politika shumë të zgjuara specifike në ekonomi që mund të lehtësojnë barrën e qytetarëve. Vjeshta do të jetë e nxehtë, do të ketë zhvillime të ndryshme, ekziston mundësia e madhe që të ketë zgjedhje në Mal të Zi, në Maqedoni ka presion të brendshëm por edhe të jashtëm”, ka thënë ai.

Çipa është deklaruar edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi, për çka tha se ka ecur shumë ngadalë.

Edhe Beshlin: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE po e nervozon regjimin e Vuçiqit Arbëri 1 j. më parë Beshlin: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE po e nervozon regjimin e Vuçiqit

“Ecuria me dialog ka qenë shumë e ngadaltë duke i dhënë mundësi Beogradit të krijojë një statusquo të ngurtë, duke mos hedhur asnjë hap para e të mos ketë asnjë qasje konstruktive në raport me dialogun. Besoj se do të ketë përpjekje për t’i ulur sërish palët, por nëse nuk ka një platformë të qartë, nuk do të kemi një ecje përpara”, ka thënë ai, duke shtuar se emisari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk e ka justifikuar detyrën e tij pasi ka bërë përpjekje minimale për të ecur para.

Ai e ka lavdëruar miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian për Kosovën, që për herë të parë përmend njohjen reciproke si element bazë të marrëveshjes me Serbinë.