Hapa konkretë ka marrë Qeveria e Kosovës për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, duke krijuar mekanizmin punues, raporton KTV.
Përbërja e ekipit menaxhues nga radhët e serbëve për këtë do të jetë e njëjtë sikur e vitit 2016, meqenëse për këtë tashmë ekziston vendim i qeverisë. Ndërsa, komitetin zbatues për hartimin e statutit të AKS-së do ta udhëheqë Avni Arifi, shef i Ekipit Negociator të Kosovës. Në këtë grup do të jenë edhe përfaqësues nga presidenca, Kuvendi e Gjykata Kushtetuese.
Arifi ka thënë se ky asociacion do të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe se statuti i tij do të dërgohet sërish për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria pret përkrahje edhe të partive opozitare që të jenë pjesë e hartimit të statutit të AKS-së. Por, LDK-ja thotë se do të kërkojë llogari nga qeveria që statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. LDK-ja dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur thonë se nisma për hartimin e statutit të Asociacionit është bërë pas presionit dhe krizave të krijuara nga presidenti i vendit.
Hartimi i statutit të Asociacionit është përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian.
Pas arrestimit të shefit të Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, Lista Serbe kishte paralajmëruar se do ta formojë njëanshëm Asociacionin nëse këtë nuk e bëjnë institucionet e Kosovës deri më 20 prill.