Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cilat ndryshime priten në Ligjin për Kryeprokurorin e Shtetit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë me vete prokurorin e shtetit, Besim Kelmendi, dhe koordinatorin për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, për të arsyetuar para komisionit parlamentar ndryshimet e reja në ligjin për Kryeprokurorin e Shtetit, raporton KTV.

Këto ndryshime, që janë sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Shtetit, pritet ta fuqizojnë Kryeprokurorin me rol hetues.

Në ligjin aktual, Kryeprokurori i Shtetit ka kompetencë të marrë nën menaxhim një lëndë vetëm pasi të përmbushen tri kritere të parapara me ligj.

Tash po synohet që këtë kompetencë ta ketë pa kriteret aktuale.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se nuk është ideja që të fuqizohet individi por institucioni i akuzës, një obligim ndërkombëtar ky që ka Kosova përballë BE-së.

Nëse këto ndryshime kalojnë, Kryeprokurori do të ketë fuqi që të marrë nën menaxhim një lëndë si dhe të nisë hetime të reja pa arsyetim të argumentuar se përse kjo nuk mund të hetohet nga prokurorët e niveleve të tjera. Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar shumica e deputeteve, por e kanë mbrojtur prokurorët. Ligji parasheh që kryeprokurori tash e tutje të ketë kompetencë të përzgjedhë prokurorët specialë, gjë që deri tash ishte kompetencë e Këshillit Prokurorial të Kosovës.