Vetëm Klinika Emergjente ka ofruar shërbime mjekësore të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në të gjitha klinikat e tjera, punëtorët shëndetësorë që nga ora shtatë e mëngjesit, kanë filluar grevën.
Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës.
Greva 24-orëshe, sipas Selamit, është vetëm sinjal për Qeverinë që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
Nga Zyra e drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK, kanë thënë se janë njoftuar me kohë nga ana e Federatës Sindikale të Shëndetësisë lidhur me grevën.
“Bazuar në referimet e deritanishme, greva ka pasur rrjedhë normale, të gjithë pacientët që kanë nevojë për ndihmë emergjente, shërbimin po e marrin në Klinikën Emergjente. Po ashtu, pacientët e shtrirë në klinika po i marrin shërbimet shëndetësore”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e drejtorit të SHSKUK-së.
Ndërkohë, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë për KTV-në, se qëndrimi i ekzekutivit nuk ka ndryshuar “është i njëjti – përkushtim për rritjen e pagave të mjekëve dhe kategorizimin e tyre, duke marrë model vendet e rajonit”.
“Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë këtë edhe në takimet që ka pasur me mantelbardhët”, ka thënë Gashi.