Ka marrë fund pritja e gjatë për diskutimin e buxhetit të rishikuar të këtij viti, raporton KTV.
Me 5 vota për nga pushteti dhe 3 kundër e një abstenim nga opozita, versioni i përgatitur nga ministri i ri i Financave mori dritën jeshile që t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka sqaruar arsyet e shkurtimit të buxhetit nga 2 miliardë në 1.8 miliard, ndërsa ka konfirmuar se është hequr nga buxheti autostrada për Gjilan.
Sa u përket sigurimeve shëndetësore, Hamza tha se aktet nënligjore për këtë çështje nuk janë miratuar ende, ndërsa për veteranët deklaroi që derisa të bëhet klasifikimi i veteranëve, dikasteri që drejton e ka për detyrë që t’i kryejë obligimet e veta ndaj kësaj kategorie, ndërsa ka premtuar se këtë vit do të ketë rritje ekonomike prej 4% edhe pse fondet për investime kapitale janë më të vogla.
Mirëpo, me sqarimet e dhëna nuk janë pajtuar anëtarët e këtij komisioni që vijnë nga opozita.
Ndërsa, situatën e krijuar, deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ia ka lënë përsëritjes së krizave politike.
Përkundër votimit, ende mbetet e pasigurt nëse buxheti i rishikuar mund të votohet brenda kësaj jave apo në javën e fundit të këtij muaji, kur është paralajmëruar edhe dërgimi në kuvend i buxhetit të 2018-ës, që pritet të jetë 2 miliardë euro.