Basri Lenjani, Drejtor i Shërbimit të Klinikës Emergjente në QKUK, në emisionin “Puls” të KTV-së, ku u diskutua për shtimin e numrit të aksidenteve me fatalitet, ka thënë se mosha më e prekur nga aksidentet në komunikacion janë ato të rejat.
“Kategoria më e prekur nga aksidentet në komunikacion janë mosha mesatare, mosha produktive që është e dobishme për shoqërinë dhe familjen. Aksidentet zakonisht shkaktohen në orët e hershme të mëngjesit kur të gjithë shkojnë në punë, dhe pas orës 11 ose 12 natën. Dita e premte e shtune dhe e hënë janë më të kobshmet sa i përket aksidenteve, për shkak se dalin njerëzit në aktivitete të ndryshme. Të rrezikuar janë shumë edhe fëmijët që parakalojnë dhe aksidentohen”, tha ai, raporton Koha.net
Nol Dedaj, Ekspert i Komunikacionit, tha se mbi 60 për qind e ekspertëve të komunikacionit nuk dinë të lexojnë skicën e policisë.
“Sa policë i kemi që dinë ta përpilojnë një skicë të aksidentit? Ato skica s’kanë pika të kontaktit, mungon pozicioni përfundimtar, pra mungon gjithçka. E ke një skicë veç si fotografi që ta sjellin. Tash unë jam i detyruar në bazë të dhënave ta bëjë përcaktimin e shpejtësisë së goditjes, jo edhe shpejtësinë fillestare. Ne, për të zvogëluar numrin e aksidenteve, duhet të pajisim policinë e trafikut pasi këta policë nuk kanë as metra për të bërë matjen. Duhet që të pajisen me radarë dhe kontrolle sistematike”, tha Dedaj në “Puls”.