Muajt e fundit, Qeveria e Kosovës, mediat, por edhe opinioni përmes rrjeteve sociale, ka ashpërsuar fjalorin ndaj Bashkimit Evropian dhe skepticizmi ndaj tij, ka shënuar ngritje, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Sipas tyre, ky diskurs është frymëzuar nga zhvillimet në realitetin politik dhe shoqëror.
Politologu Ramush Tahiri, thotë institucionet qeveritare, por edhe opinioni në Kosovë janë të zhgënjyer me mospërmbushjen e pritjeve që kanë pasur në raport me BE-në, e të cilat janë bazuar në premtimet që BE-ja i ka dhënë për Kosovën.
“Diskursi anti-evropian që po krijohet në Kosovë, e ka një bazë reale, sepse Kosova ka ngecur në integrimet evropiane, si vendi i fundit në Ballkan. Ndërsa, gjithashtu, zhgënjimi i madh është me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka mbetur 10 vjet prapa Serbisë, përkundër që Kosova pasur misione ndërkombëtare dhe evropiane në territorin e saj. Ato është dashur që ta ngritin cilësinë e qeverisjes dhe të vendimmarrjes, si dhe sundimin e ligjit”, thekson Tahiri.
Ai shton se Qeveria e Kosovës me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë një kurs të partneritetit të plotë dhe të pakusht me Bashkimin Evropian dhe tashme po sillet si palë që kërkon përgjegjësi nga Bashkimi Evropian dhe i gjykon veprimet e tij, praktika të cilat deri më tash nuk kanë ndodhur.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë