Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çfarë po kërkojnë grevistët e punëtorëve të administratës në judikaturë

Heshtja e Qeverisë përballë grevës së punëtorëve të administratës në gjykata e prokurori, ka rezultuar me kërkesa të tjera. Këshilli grevist ka kërkuar që t’u llogaritet përvoja e punës në të ardhura personale, që sipas tyre, nuk po bëhet tash e një kohë. Afër 150 seanca kanë dështuar të mbahen si rezultat i grevës.

Prokuroritë e Gjykatat vazhdojnë të mbesin të paralizuara shkaku i grevës së punëtorëve të administratës.

Në ditën e pestë të grevës, ata kanë shtuar edhe një kërkesë tjetër.

Kërkojnë që t’u kthehet ngritja prej 0.5 % e pagës bazë, për çdo vit të përvojës së punës, siç parashihet me Ligjin për pagat e nëpunësve civilë, që, sipas sindikalistëve, nuk është zbatuar këtë vit.

Sikur edhe ditët e tjera të grevës, qindra seanca nuk kanë arritur të mbahen në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Judikaturës, ka mohuar të kenë refuzuar bashkëpunimin me zyrën e Kryeministrit, siç aludohej nga kjo e fundit pas fillimit të grevës.

Sindikalistët u kanë kërkuar falje qytetarëve që nuk do të mund të përfitojnë nga shërbimet e gjykatës e prokurorisë, si rezultat i grevës, por thonë të jenë të shtyrë nga vendimi i Qeverisë për rritje të pagave.

Kërkesa e tyre kryesore mbetet rritja e pagave për 100 %, e gjithashtu edhe rregullimi i statusit të tyre.