Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çfarë e shtyn një të ri të kryejë krime, sipas ekspertëve

Problemet familjare, bullizmi, niveli ekonomik, zemërimi, manipulimi e hakmarrja janë disa prej arsyeve që e shtyjnë një të ri të kryejë krime të rënda, sipas psikiatres për fëmijë, Adelina Ahmeti-Pronaj, dhe sociologut Besim Gollopeni. Ata iu referuan rastin më të fundit të ndodhur në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të martën, një 18-vjeçar hyri me armë në një shkollë fillore në Teksas dhe la të vdekur 19 fëmijë e një mësuese, dhe vdiq edhe vetë, sipas policisë shtetërore atje.

“Deri në këtë proces, varet edhe nga rritja e atij personit. Për rastin e fundit, sipas mediave, ai ka qenë një fëmijë që ka jetuar pa prind. Lidhja jo e shëndetshme me prindërit, veçanërisht me nënën, mundet me qenë predispozitë për të kryer krime. Bullizmi është një nga faktorët kryesor, por edhe niveli ekonomik”, ka thënë Ahmeti-Pronaj në emisionin “SOT” të KTV-së.

Ajo ngrit alarmin, duke treguar se në Kosovë është në rritje mbajtja e armëve të ftohta nëpër shkolla, sidomos nga gjinia femërore.

“Kam hasur në fëmijë që në moshën 10-vjeçare janë prezantuar me armë të ftohta. Kjo është shumë shqetësuese, sidomos tendenca në rritje e gjinisë femërore. Tani ka rritje te mbajtjes së armëve te gjinia femërore. Ne duhet të marrim masat e intervenimit. Përveç armëve të ftohta, janë prezente edhe substancat narkotike, të cilat e rrisin predispozitën për veprime kriminale. Duhet të marrim masa parandaluese duke filluar nga klasa e parë, që të kemi një shoqëri që do të ketë predispozita më pak për këto vepra”, ka shtuar Ahmeti-Pronaj.

E sociologu Gollopeni tregoi faktorët e ndryshëm që ndikojnë që një adoleshent të kryejë krime të tilla të renda.

“Zemërimi që mund të vjen nga faktorët e brendshëm dhe jashtëm. Manipulimi, zakonisht të rinjtë manipulohen në dotrina të ndryshme, rrjete të ndryshme, të cilat kultivojnë një pasiguri dhe ndjenjë të urrejtjes ndaj grupeve të tjera. E treta është hakmarrja, që është mjaft prezente te kjo kategori e të rinjve. Raste të tilla janë prezente në ato vende ku konsiderohen më të sigurta. Situatën nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri në aspektin global, qasja në internet dhe mungesa e monitorimit të tyre, dhe grupet që për qëllime të caktuara i manipulojnë këta fëmijë për t’i arritur qëllimet e tyre. Synimi i kësaj kategorie të të rinjve është të shkaktojë sa më shumë pasoja, të marrë jetën e sa më shumë personave. Dëshirojnë ta shfrytëzojnë zemërimin, manipulimin dhe ndjenjën hakmarrëse. Faktorët socialë gjithashtu ndikojnë shumë. Gjendja e vështirë sociale, ekonomike, problemet familjare, përdorimi i pijeve të ndryshme, konsumimi i lëndëve narkotike, reflektojnë te këta të rinj. Shumicën e rasteve për këtë kategori të rinjve, pasi ta realizojnë qëllimin, bëjnë në fund vetëvrasje”, ka thënë ai.

Edhe Ekspertët i vlerësojnë të pamjaftueshëm “oficerët e sigurisë” në shkolla Arbëri 1 j. më parë Ekspertët i vlerësojnë të pamjaftueshëm “oficerët e sigurisë” në shkolla

Sipas Gollopenit, duhet të ndryshojë domosdoshmërisht bashkëpunimi shkollë-familje-komunitet në Kosovë, pasi sipas tij, pa një bashkëpunim të mirëfilltë të këtij trekëndëshi nuk mund të ketë siguri në shkolla.

“Familja është agjenci kryesore e zhvillimeve shoqërore, veçanërisht e fëmijëve. Në vendin tonë, ka mungesë të bashkëpunimit të trekëndëshit shkollë-familje-komunitet. Në shumicën e rasteve, prindërit interesohen për fëmijët vetëm kur është në përfundim cikli shkollor. Ne interesohemi vetëm për suksesin e fëmijëve, por jo edhe për sjelljen. Kjo duhet të ndryshojë medomoes, sepse nuk sjell perspektivë dhe zhvillim për fëmijët tanë dhe vendin në përgjithësi. Kur këto po ndodhin në vendet më të sigurta, çfarë mund të ndodhë në vendin tonë kur e dimë se çfarë sigurie ka në shkolla. Pa një bashkëpunim të atij trekëndëshi, nuk mund të themi se kemi siguri në shkolla. Ne duhet të edukohemi në atë mënyrë që fillimisht të merremi me shkaktarët, pastaj me pasojat”, ka thënë Gollopeni.