Arbëri

Çështje urgjente konsiderohet inspektimi i sistemeve të ujit

Qeveria e Kosovës ka pranuar se siguria e sistemeve të ujësjellësit në vend është e brishtë dhe shumë lehtë mund të përsëriten raste, sikurse ai i ditëve të fundit në Komunën e Deçanit.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë këtë të premte se nga puna në terren është emergjente që të kryhen inspektime të sistemeve e ndërmarrje të masave.

“Nëse e shohim të gjithë sistemin e ujësjellësit në vendin tonë, dhe sidomos në rastit në fjalë duhet ta kemi të qartë se ky sistem është lehtë i kompremetueshëm, lehtë një vërshim uji e të tjera me radhë mund të krijojnë situata të tilla edhe në të ardhmen”, ka thënë Aliu.

Duke iu referuar rastit të Deçanit, Aliu ka thënë se Komuna ka bërë investime në furnizimin e qytetarëve me ujë pa pasur leje ujore.

Ekzekutivi është akuzuar nga partitë në opozitë për reagim të vonuar, e jo të duhur, pas rastit në Deçan.

Deputetët e partive në opozitë kritikuan kryeministrin, ku, sipas tyre, në vend që të kthehet në Kosovë, ai po vazhdon të qëndrojë për të marrë pjesë në konferenca e samite në Greqi.

“Reagimi institucional në këtë rast është për keqardhje duke ia filluar prej qendrës së emergjencave e duke mbërri te kryeministri i Republikës së Kosovës i cili për herë të parë në historinë 20 vjeçare të Kosovës një kryeministër me buxhet të shtetit qëndron pothuajse 10 ditë në një konferencë politike të internacionales socialiste në Greqi”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Në qoftë se kemi një kësi injorimi, një shpërfillje të tillë nga qeveria dhe nga kryeministri në një temë kaq senzitive çka do të ndodh në rastet e tjera”, është shprehur Besnik Tahiri, shef i GP-së së AAK-së.

E deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, u ka bërë thirrje që qytetarëve në Deçan t’u sigurohet ujë i pijshëm e të intervenohet edhe në pjesët e tjera të vendit.

“Qeveria urgjentisht duhet të marr masa për të gjitha qytetet për të gjitha rajonet të cilat nuk e kanë ujin e filtruar, të planifikojnë rezervarë të ujit dhe të furnizohet popullata e krejt Kosovës”, ka thënë ai.

Që nga dita e shtunë e deri më sot në institucionet shëndetësore rreth 2 mijë qytetarë kanë kërkuar trajtim mjekësor pas konsumimit të ujit në disa fshatra të Deçanit.