Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Cakolli: Vendimi i KQZ-së për rinumërim prek kredibilitetin e rezultatit zgjedhor

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë përtej vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke urdhëruar rinumërimin e plotë të kutive të votimit, edhe pse PZAP kishte vendosur që të rinumërohen vetëm votat e një kandidati apo subjekti të caktuar.

Sipas tij, kësisoj, ndonëse qëllimi mund të jetë i mirë, vendimi i KQZ-së afekton kredibilitetin e rezultatit zgjedhor, meqenëse niset nga supozimi që rezultati mund të ketë probleme, kur në fakt do të duhej të ishte e kundërta.

“Madje paradoksalisht, i bie se mund të rinumërohen edhe votat e kandidatëve apo subjekteve, ankesat e së cilëve mund të jenë refuzuar nga PZAP-ja në mungesë të provave bindëse. Sidoqoftë, mbetet të shihet se çka do të prodhojë ky rinumërim”, ka thënë ai.

Rreth 500 vendvotime, për kuvende komunale, do të rinumërohen, është vendosur në mbledhje e KQZ-së.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura nga kandidatët për asamble komunale kundër rezultateve përfundimtare ka vendosur për rinumërim.