Vetëm 9 për qind, Kuvendi ka arritur ta përmbushë agjendën legjislative gjatë këtij viti.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) derisa ka folur për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit vjeshtor, ka thënë se është karakterizuar me probleme të njëjta si në atë pranveror, megjithëse, shton ai, kryefjalë tash ka qenë mungesa e kuorumit.
“Në planin legjislativ kuvendi qëndron tejet dobët sepse ka përmbushë vetëm 9 për qind të agjendës legjislative të paraparë”, tha ai në Express Intervistë.
“Si organizatë, kemi arritur të nxjerrim se janë 143 projektligje që janë parapara për t’u miratuar sivjet dhe që prej tyre janë miratuar vetëm 13 sosh. Pra, 9 për qind të tyre. Në kuadër të këtij numri, 11 prej tyre kanë të bëjnë me marrëveshje financiare ndërkombëtare për hua marrje dhe të ngjashme. Një projektligj ka të bëjë me drejtësinë që sërish ka të bëjë me marrëveshje ndërkombëtare dhe ai për pandeminë që ka gjetë unitet më të gjerë”, shton Cakolli.
“Komisionet parlamentare nga fillimi i vitit kanë mbajtur rreth 250 mbledhje, por vetëm në dhjetra raste kanë raportuar ministra nëpër komisione dhe edhe gjatë raportimeve, ministrat kanë pasur qasje mjaft arrogante ndaj deputetëve sepse kanë pasur arsyetime se nuk mund të qëndrojnë shumë”, tha ai.
Edhe
KDI: Deputetët munguan 525 herë në sesionin pranveror
Ai e sheh të vështirë edhe miratimin e projektligjeve që janë në shqyrtim nëpër komisionet parlamentare, si shkak të mungesës së deputetëve në seanca.
“Qeveria nuk ka arritë të sjellë dhe miratojë asnjë projektligj të rëndomtë sepse pjesa më e madhe e projektligjeve nuk janë proceduar fare në Kuvend. Kemi vetëm 27 projektligje në procedurë të shqyrtimit në komisione dhe vështirë që do miratohen në seance pasi shumica parlamentare nuk po arrinë të sjellin deputetët”, tha ai.
Performanca e Kuvendit në këtë legjislaturë është më e dobëta nga të gjitha legjislaturat e tjera, ka thënë Cakolli, duke shtuar se derisa shumica parlamentare nuk po arrijnë as 40 deputetë të kenë në seancë, “do duhej të ishte këmbanë alarmi për ta”.
Cakolli thaq se duhet të shihen modalitete të tjera nga partitë në pozitë për të dalë nga kjo situatë. Ai sqaron dy skenarë.
“Janë dy skenarë, rikonfigurimi i qeverisë qoftë përmes zgjerimit formal duke u futur edhe një parti opozitare apo një situatë si me PSD që kishte vendosur ta ndihmonte qeverinë me disa projektligje. E shoh tejet problematike gjetjen e një zgjidhje brenda koalicioni politik pa përfshirjen e një partie tjetër”, tha ai.
Cakolli ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme të akuzohet opozita për mungesë kuorumi në seanca plenare, kur pozita duhet të sigurojë shumicën e votave.
“Kuvendi, shumica parlamentare ka pasë obligim dhe ka obligim primar të sigurojë votat e nevojshme të kalojë ligje që i vlerësojnë të rëndësisë së veçantë. Nuk është e arsyeshme të akuzohet opozita , kur është shumica parlamentare që duhet të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të siguruar votat për kalimin e një projektligji. Ne një qasje arrogante që ka pasë pozita për opozitën besoj se ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës dhe raporteve pozitë-opozitë”, tha ai.
Ndërsa, ka shtuar se nga fillimi i sesionit vjeshtor janë thirrur 10 seanca dhe që pjesa më e madhe e tyre është shtyrë.
Edhe
Mesatarisht në çdo seancë munguan 25 për qind e deputetëve
“Që nga fillimi i sesioni vjeshtor janë thirrur 10 seanca të reja, pjesa më e madhe është dashur të shtyhet për një datë tjetër që ka ndiku në grumbullimin e pikave. Kjo është çështje mjaft problematike, sepse meqë nuk janë votat për kalim të projektligjit, shumica parlamentare duket se po thërrasin ato sa për konsum të publikut, që të tregohet se kanë vullnet për t’i miratuar”.
Ndërkaq, Cakolli nuk e sheh pandeminë me COVID-19 si çështje kyçe në problemin me seancat dhe kalimin e projektligjeve, pasi ai thotë se gjatë këtij sesioni pozita ka mundur të gjejë zgjidhje tjera.