Arbëri

KDI: Kuvendi përmbushi 13% të planit legjislativ, deputetët shpesh u regjistruan veç për mëditje

Arbër Thaçi, hulumtues në Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës është karakterizuar nga shumë të papritura dhe përmbajtje të llojllojshme, dhe ligjvënia gjatë kësaj periudhe u shoqërua me shumë sfida.

KDI-ja shpalosi të mërkurën raporti analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, me titullin: “Ligjvënia mes shumë sfidave”.

“Puna e Kuvendit ka qenë me shumë sfida, me përmbajtje të llojllojshme dhe me dinamikë te luhatshme. Herë me seanca të shpeshta e herë me pushime të gjata. Kuvendi ka mbajtur 49 seanca. Kuvendi ka miratuar 44 projektligje, por shumë prej tyre nuk janë projektligje që i takojnë agjendës se 2023-s. Vetëm 13 për qind e planit legjislativ për 2023 është përmbushur gjatë këtij sesioni. Mungesa e deputetëve është një ndër problematikat e këtij sesioni. Në secilën seancë kanë munguar 22 për qind e deputetëve. Partitë opozitare tregojnë mungesa më të mëdha”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, një nga dukuritë që duhet dënuar gjatë këtij sesioni është gjuha joparlamentare e përdorur nga deputetët.

Thaçi shtoi se Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare.

Hulumtuesja Violeta Haxholli ka thënë se në secilën seancë ka qenë më shumë se dy e treta e deputetëve, por në secilën ka pasur mungoi kuorumi. Kjo do të thotë, sipas saj, që deputetë janë nënshkruar sa për të marrë mëditje.

“Pothuajse në secilën seancë prezentë kanë qenë me shume se dy e treta e deputetëve ndërsa gati se në secilën seancë ka pasur mungesë kuorumi. Kjo do të thotë që deputetët kanë qenë shumë të suksesshëm për t’u nënshkruar për këto lista, për të marrë mëditje, por nuk kanë marrë pjesë në vendimmarrje. Fatkeqësisht, nga aspekti i rolit mbikëqyrës nuk ka qenë shumë i kënaqshëm aktiviteti i kuvendit gjatë këtij sesioni”, ka thënë ajo.

“Megjithatë, numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare. Më së shumti pyetje parashtruan deputetët e partisë në pushtet me gjithsej 102 pyetje, pasuar nga partitë opozitare, PDK-ja me gjithsej 45 pyetje, AAK-ja me 13 pyetje, LDK-ja me 10 pyetje dhe Komunitetet me vetëm 1 pyetje”, ka thënë ajo.

“Sa u përket zhvillimeve në Komisionet Parlamentare ato mbajtën gjithsej 221 mbledhje, 10 dëgjime publike dhe 5 vizita në terren. Më së shumti mbledhje mbi 20, mbajtën Komisioni për Ekonomi, Komisioni për Shëndetësi, Komisioni për Buxhet dhe Komisioni për Legjislacion. Komisionet trajtuan rreth 35 projektligje. Ndërsa në aspektin e mbikëqyrjes ministrat e Qeverisë paraqitën projektligje dhe raportuan 35 herë para komisioneve, ndërsa përfaqësuesit e tjerë të lartë institucionalë 42 herë. Vetëm tre komisione zhvilluan vizita në terren tek institucionet përkatëse gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Haxholli.

Sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, Haxholli theksoi se vetëm dy ligje u mbikëqyrën në tërësi nga Kuvendi, një shifër që nuk është e mjaftueshme.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre ad-hoc.

KDI-ja ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.