Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyqi: Ky draft i Asociacionit ka dallime substanciale me draftet e mëparshme

Juristi Asdren Bytyqi ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani, ka dallime substanciale me draftet e mëparshme të prezantuar nga ekipi vetëmenaxhues, që u shkarkua nga Qeveria, FES-i dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ramadani publikoi ditë më herët draftin e Asociacionit, për të cilin pretendon se i është paraqitur kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit në Bruksel.

Bytyqi ka thënë se drafti i Asociacionit ka heqje të kompetencave nga fushat e caktuara, të cilat i vlerëson si pozitive.

“Ajo çka e karakterizon dhe e dallon nga draftet e mërpashme, sidomos nga ekipi vetëmenaxhues që ishte autonomi e zgjeruar, nga FES-i dhe nga ai i Edi Ramës, ka disa dallime esenciale. Ky draft karakterizohet me një kontroll të shtuar kushtetues, sidomos të aspekteve të rëndësishme të përmbajtjes së saj. Përveç që do të shkojë në kontroll kushtetues, e njëjta ka kontroll kushtetues edhe të stemës dhe flamurit, që s’ka qenë më herët. Ky asociacion ka një mbikëqyrje të shtuar qeveritare. Të gjitha asketet financiare apo konfliktet ligjore që mund të paraqiten do të zbatohen me ligjet përkatëse të Republikës së Kosovës. Ajo çka është pozitive është heqja e kompetencave nga fushat e caktuara. Ka kompetenca ekskluzive në fushën e arsimit, por joekzekutive”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Bytyqi megjithatë është shprehur se ka edhe disa aspekte që janë shumë të kritikuar, siç është “karakteri monoetnik i saj”.