Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyçi: Neglizhencë totale nga BE-ja për implementim të marrëveshjeve

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se ka neglizhencë totale nga ndërmjetësuesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian, për implementimin e marrëveshjeve të dakorduara.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Bytyçi ka thënë se BE-ja nuk ka reaguar as për letrën e qeverisë së Serbisë, në të cilën tregohet se ky vend ka hequr dorë nga implementimi marrëveshjeve.

“A u imponuan me të vërtetë këto takime me krizën e dinarin apo planifikohej që të ndodhnin? Kemi të bëjmë me një neglizhencë nga vetë ndërmjetësuesit për implementimin e marrëveshjeve. E kemi edhe mungesën totale të reagimit ndaj letrës së qeverisë së Serbisë, bëhet fjalë për letër formale kundër implementimit të marrëveshjeve, ku Serbia heq dorë nga implementimi i marrëveshjeve, dhe sot gjatë takimit u kuptua që Serbia vepron sikurse kjo marrëveshje të mos ekzistonte. Thjeshtë e injoron totalisht Marrëveshjen në Bruksel dhe flet për Marrëveshjen e vitit 2013”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka pasur të drejtë me qëndrimin e ngurtë që e tregoi në fillim në lidhje me çështjen e dinarit, për çka iu kërkua të diskutonte në Bruksel.

“Po të ishte qëndrimi fillestar shumë i butë që do të ftonte një dialog, atëherë do të ishte diçka brengosëse me të vërtetë, por një qëndrim fillestar mjaft i ngurtë mundëson që të arrihet një kompromis më i favorshëm dhe sa i përket vetë krizës së shkaktuar, duhet ta shohim në kontekst të mosaktivitetit të BE-së, pritej që të kishte ftesa për takime pas vitit të ri, sidomos gjatë shkurtit dhe marsit, mirëpo nuk ndodhi asgjë dhe kjo mund të shihet edhe si përpjekje tjetër e Kosovës që të tërheq vëmendje, që të mos injorohet dhe që në njëfarë mënyre ta imponojë kthimin e diskutimit për zbatim të marrëveshjeve, gjë që ndodhi pasi sot u diskutua për zbatim të marrëveshjeve”, ka thënë ai.

Edhe Vuçiqi shpreh gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve, në Qeveri e quajnë deklaratë larg realitetit Arbëri Vuçiqi shpreh gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve, në Qeveri e quajnë deklaratë larg realitetit

Derisa ka folur për deklaratën e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili e pyeti Perëndimin nëse e do Serbinë apo Kosovën, Bytyçi tha se Vuçiqi e ka parashtruar pyetjen të cilën deri tani ka dështuar ta bëjë Perëndimi.

“Vuçiqi e bëri një pyetje që deri tani ka dështuar ta bëjë Perëndimi dhe kërkon që Perëndimi të rreshtohet në anën e Serbisë dhe t’i shkelë interesat e Kosovës. Kjo gjithashtu është domethënëse pasi kemi thënë edhe më herët që Serbia pret në moment të duhur për të intervenuar ushtarakisht dhe e pret degradimin, dobësimin e Perëndimit dhe forcimin e Rusisë dhe Kinës me idenë që kjo t’ia krijojë një pozitë më të favorshme në raport me Kosovën”, ka thënë ai.