“Nuk ka ende marrëveshje me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar, por jemi plotësisht të bindur se do të kemi një marrëveshje të re, më të mirë, më të drejtë dhe më të zbatueshme për të dyja palët”, deklaroi të mërkurën, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Ministri Bushati zhvilloi sot një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme, lidhur me ecurinë e procesit të negociatave me Greqinë, me fokus kryesor në marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar.
Bushati tha se i është përgjigjur institucionalisht të gjitha kërkesave të Presidentit të Republikës, ndërsa sqaroi se kreu i shtetit nuk jep Plotfuqishmëri për nisjen e negociatave, pasi kjo është kompetencë e ministrit të Jashtëm, por jep autorizimin për Plotfuqishmëri.
“Nis puna mbi autorizimin, kërkohet Plotfuqishmëria, fillojnë diskutimet. Në rast se ka një marrëveshje sërish duhet të shkohet te Presidenti i Republikës për të lëshuar autorizimin, që më pas të lëshohet Plotfuqishmëria për firmosjen e kësaj marrëveshje, që duhet të ratifikohet nga ana e parlamentit si në Greqi dhe Shqipëri dhe të botohet në Fletoren Zyrtare”, tha Bushati, duke sqaruar të gjitha procedurat përmes së cilave kalon marrëveshja për detin me Greqinë.
Heqja e rezervës për vulën apostile ul kostot për shqiptarët që jetojnë në Greqi
Edhe
Shqipëria po i vazhdon negociatat me Greqinë për detin
Në fillim të fjalë së tij, Bushati vlerësoi heqjen e rezervës ndaj vulës apostile, pasi sipas tij, kostoja e aplikimit për çdo dokument që merrnin qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi ishte rreth 20 euro”.
Sipas një përllogaritje, Bushati tha se “vetëm në vitin 2017 shqiptarët që jetojnë në Greqi kanë paguar 6.7 milionë euro”.
“Duke hequr këtë rezervë ndaj apostiles, Greqia, si vendi i fundit që mbante këtë rezervë ndaj nesh, na krijoi një mundësi të mirë për të shikuar drejt një pakete më shtjelluese të shërbimeve konsullore”, tha Bushati.
Negociatat me Greqinë, sistemojmë të gjitha çështjet e hapura
Ministri Bushati vlerësoi se procesi i negociatave me Greqinë është një moment pozitiv që vjen si pasojë e një procesi që ka nisur disa vite më parë, për të sistemuar të gjitha çështjet e hapura me Greqinë në një paketë, duke i kategorizuar me tre shporta.
“Kemi së pari, shportën e çështjeve që mbartin një peshë të caktuar historike që e kanë origjinën te ligji i luftës. Së dyti kemi shportën që ka të bëjë me aktualitetin, që ka të bëjë me shërbimet konsullore, njohjen e patentave dhe një sërë çështjesh që kanë lidhje me shqiptarët në Greqi, çështje të përditshmërisë dhe së treti kemi çështje të një karakteri strategjik që kanë të bëjnë me përfundimin e të gjithë regjimit kufitar, qoftë përmes përcaktimit të zonave detare në përputhje me Konventën mbi të Drejtën e Detit, ashtu edhe përfundimi i pjesës tokësore me marrëveshjen për menaxhimin e incidenteve kufitare dhe piramidave në kufi”, tha Bushati.
3 shportat, sipas Bushatit, janë renditur përmes shkëmbimit të notave me palën greke në 2016 dhe shkëmbimi i notave është pasuar me ngritjen e një mekanizmi diplomatik në nivelin më të lartë të diplomatëve, i përqendruar ekskluzivisht në këto çështje.
“Janë kryer 39 takime në nivel Ministrash të Jashtëm, takime dypalëshe apo përmes platformave shumëpalëshe; 4 takime të mekanizmit diplomatik, ku ka pasur bisedime të shtjelluara për këto çështje, sikundër pas takimit të kryeministrit Rama dhe homologut grek, Tsipras në Samitin e NATO-s në qershor 2017, u ra dakord që krahas mekanizmit diplomatik, ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve respektive, bashkë me ekipet përkatëse, të uleshin dhe diskutonin në mënyrë edhe më intensive, siç ishin takimet e Kretës dhe të Korçës për çështje që kishin lidhje me këtë paketë”, informoi Bushati.
Marrëveshje e re për kufirin detar me Greqinë
Lidhur me hartimin e një marrëveshje të re për delimitimin e zonave detare, Bushati bëri një historik të zhvillimeve nisur nga rrëzimi i marrëveshjes së mëparshme nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010.
“Kjo është një marrëveshje e re, dhe këtë e dinë edhe kolegët deputetë (të LSI-së), që deri në shtatorin e vitit të kaluar kanë qenë të ulur bashkë me ne në të njëjtat karrige qeveritare, sikundër Presidenti i Republikës, që ka qenë kryetar i Kuvendit dhe pjesë dhe në dijeni të këtyre diskutimeve dhe zhvillimeve që janë bërë me palën greke. Shpresoj shumë se ata kanë qenë edhe pjesë e vizionit të qeverisë të reflektuar në programin 2013-2017 dhe në vijim të programit që kjo qeveri është votëbesuar 2017-20121 për politikën e jashtme”, tha Bushati.
Ai theksoi faktin se Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 e rrëzoi marrëveshjen e arritur nga Shqipëria me Greqinë për detin, duke i çuar palët në pozicione diametrialisht të ndryshme. “Qëndrimi i palës grele ka qenë thuajse konstant për të zbatuar marrëveshjen e arritur me Shqipërinë, qëndrimi ynë ka qenë konstant, sipas së cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padisktueshëm dhe përbën vijën e kuqe të çdo lloj qeverie në Shqipëri, që kërkon t’ i japë një zgjidhje në të ardhmen kësaj çështje. Shqipëria dhe Greqia janë pjesë dhe kanë detyrime nga korpusi i së Drejtës Ndërkombëtare dhe kur i referohemi kësaj, pika kryesore është Konventa mbi të Drejtën e Detit, që përcakton dhe ofron metodologji për mënyrën se si palë e shtete të ndryshme mund t’ i japin zgjidhje këtyre çështjeve”, tha Bushati.
Qëndrimet e palëve sa i takon marrëveshjes së 2009 dihen, tha ai. “Dihet qëndrimi i qeverisë së asaj kohe, ne ishim në opozitë dhe ishim forca politike që kërkuam pranë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje për arsye që janë publike. Dihet qëndrimi i qeverisë nga periudha 2009-2013, por besoj se sot nuk ka njeri mundësinë për të vënë në diskutim faktin që jemi përball një vendimi që e bën nul nga ana e Shqipërisë, atë marrëveshje”, tha ministri Bushati.
Edhe
Kufiri Shqipëri - Greqi nuk ndryshon
Rruga për të ardhur drejt një marrëveshje të re nuk ka qenë aspak e lehtë, tha Bushati duke shtuar se, “as nuk kemi pritur dhe as nuk kemi kërkuar mbështetje për këtë proces, por kemi kërkuar reflektim, përgjegjshmëri dhe institucionalizëm, sepse është bërë një punë shumë e madhe përpara për të hapur një faqe të re”.
Bushati sqaroi gjithashtu edhe rastet kur shkohet në arbitrazh ndërkombëtar. “Në bazë të statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shkohet vetëm kur dy palë e kanë ezauruar ciklin e negocimit dhe nuk bien dakord, dhe së dyti, kur bien dakord të dyja palët për të shkuar drejt një arbitrazhi. Ne kemi bërë një hap gjigant përpara sepse kemi rënë dakord”, tha Bushati.
Nuk ka marrëveshje me Greqinë
Kryediplomati shqiptar theksoi së pari, se “nuk ka një marrëveshje për këtë çështje me Greqinë”.
Edhe Ministri i Jashtëm grek, Kotsias, në dy intervista të tij në përgjigje të opozitës greke flet shumë qartë dhe thotë se nuk ka një marrëveshje me palën shqiptare, sepse dhe ai akuzohet në Greqi se po i fal detin Shqipërisë.
Po ashtu, edhe në intervistën dhënë televizionit dhe radios greke, e transkriptuar në faqen zyrtare të ministrisë së Jashtme greke, thuhet se: “pala shqiptare pret autorizimin e Presidentit për të nisur punën për një marrëveshje të re. Më akuzoni, por nuk ka një marrëveshje ende me Shqipërinë, thotë Kotsias”.
Presidenti jep autorizimin për Plotfuqishmëri për nisjen e bisedimeve
I pyetur se përse një marrëveshje e tillë zhvillohet në një mungesë totale të informimit të institucioneve kryesore të vendit, Kuvendit, opozitës dhe shoqërisë civile, Bushati sqaroi se “Kushtetuta dhe ligji është shumë e qartë në këtë pikë”.
Bushati vuri në dukje se opozita është pjesë e Kuvendit dhe Kuvendi është informuar vazhdimisht. “Në këtë komision do të gjeni informacione për këtë çështje disa herë. Opozita, unë e di se, është pjesë e Kuvendit. Unë jam në dispozicionin tuaj për t’ju dhënë përgjigje”, tha Bushati.
Kur të shkojmë drejt një marrëveshje, vijoi ministri, do të krijojmë edhe platformën për shoqërinë civile, por jemi konsultuar vazhdimisht me ekspertë të fushave të ndryshme.
Bushati sqaroi po ashtu se “Presidenti, në bazë të ligjit, nuk jep Plotfuqishmëri”. “Ligji 43, viti 2016, përcakton qartë se kush e jep këtë plotfuqishmëri. Presidenti i Republikës jep autorizimin, por dhënia e plotfuqishmërisë është kompetencë e ministrit të Punëve të Jashtme. Unë i kam kërkuar Presidentit dhënien e autorizimit për Plotfuqishmëri për fillimin e bisedimeve me Greqinë. I kam kërkuar të japë autorizim për të filluar punën konkrete, me dëshirën dhe synimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje”, tha Bushati, duke theksuar madje “se edhe vetë Presdienti ë”shtë informuar gabim deri tani lidhur me kompetencat e tij”.
Grupi negociator – Të mos merremi me individë, i japim sinjal shumë të keq palës greke
Lidhur me grupin negociator, Bushati tha se “në asnjë vend të botës nuk ka ekspertë nga shoqëria civile apo opozita, që të negociojnë për një çështje të tillë”. “Koncepti i Plotfuqishmërisë i jep garanci palës që lista e këtyre njerëzve që janë përballë tyre, ka mbështetjen e instancës shtetërore. Lista e njerëzve, mbi bazën e këtij ligji, duhet të jetë mbi bazën e parimit të përfaqësimit institucional. Pra nëse çështja lidhet me Flotën Detare, duhet të jetë personi përgjegjjës nga Flota Detare”, sqaroi ministri.
Edhe
Meta i jep autorizimin ministrit Bushati për negociatat Shqipëri-Greqi për kufirin detar
Ai theksoi se Presidenti ka kërkuar emrat e personave në grupin negociator djhe i janë vënë në dispozicion emrat, funksionet përkatëse dhe CV e tyre. “Presidenti e ka bërë publik faktin se për këta emra ka kërkuar verifikim nga instancat shtetërore përkatëse. Ne kemi bërë verifikimin tonë dhe institucionet do të përgjigjen për këtë çështje, por nuk është normale për një shtet që të diskutojmë emrat në publik dhe të filloj linçimi i tyre. Kush ka vërejtje për emrat individual i drejtohet instancave shtetërore. Është gabim shumë i madh që merremi me individët, sepse i japim sinjal shumë të keq edhe fqinjëve me të cilët duam në negociojmë një marrëveshje të re”, tha Bushati.
{gallery}