Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bullizmi në shkollat e Lipjanit, shqetësues

Nëpërmjet organizatës “YAHR”, Vesa Rrahmani dhe Eljesa Terpeza, po mundohen t’i luftojnë dukuritë negative në shkollat e Komunës së Lipjanit.

Rrahmani deklaroi në SOT të KTV-së të martën, se aktiviteti i fundit i kësaj organizate ishte takimi me zyrtarë të stacionit policor në Lipjan, për t’i diskutuar shqetësimet dhe problemet e të rinjve.

Ajo tha se takimi shkoi mirë dhe të rinjtë patën mundësi të shtrojnë pyetje rreth dukurive dhe si ato të jenë sa më pak të pranishme. Bullizmi dhe përdorimi i lëndëve narkotike ishin ndër temat e takimit.

Ndërsa, Terpeza u shpreh se bullizmi është ndër problematikat e të rinjve në këtë komunë.

“Pika kyç kanë qenë bullizmi dhe përdorimi i lëndëve narkotike. Kam qenë e bullizuar në shkollën fillore, ka qenë periudhë e keqe, por ku je me njerëz pozitivë, të ndihmojnë që ta kalosh atë”, deklaroi ajo, duke shtuar se një person që është i bullizuar në shoqëri, duhet ta shprehë atë.

Rrahmani u shpreh se si organizatë synojnë të kenë sa më shumë aktivitete sensiblizuese e informuese për të rinjtë

“Kemi mbajtur edhe më herët aktivitete, nga organizata jonë kanë dalë edhe shumë projekte dhe aktivitete. Në shkollat kryesore të Lipjanit kanë vendosur kuti ku do të vendosen ankesa ose ndonjë rast të bullizmit. Si ide është ide e mirë dhe është pranuar nga drejtorët e shkollave”, tha tutje ajo.

Sipas Terpezes, rëndësia e vullnetarizmit në shoqëri është e madhe dhe sipas saj, të rinjtë duhet të mësohen të jenë vullnetarë.

Artikuj të ngjashëm