Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Buleshkaj: Strategjia e re do të ndihmojë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit

Yll Buleshkaj nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit deklaroi se është punuar një strategji e re që do të kontribuojë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Ai tha në KONFRONT-in e KTV-së të mërkurën se transparenca është forma kryesore për parandalimin e korrupsionit, e kjo sipas tij, fillon nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë.

“Transparenca është forma kryesore për parandalimin e korrupsionit. Transparenca fillon nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë, që i vë nën llupën e publikut të gjithë zyrtarët, duke ua bërë të ditur gjendjen financiare dhe të hyrat. Një punë e madhe do të jetë edhe të hartimi i planeve të integritetit. Ne si Agjenci jemi të lumtur që kemi nisur procesin e strategjisë së re. Kosova ka më shumë se 3 vjet që s’ka strategji kundër korrupsionit”, deklaroi Buleshkaj.

Sipas tij, strategjia e fundit e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit nuk ishte aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se përpjekja e Kosovës për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit do të rritet nga kjo strategji e re.

“Ligji i vjetër na ka obliguar ta hartojmë strategjinë, e Kuvendi është dashur ta aprovojë këtë”, theksoi ai.