Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, sot do të ketë takim pune në Bruksel, ku do të marrin pjesë edhe kryeministrat tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilin e organizon përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Bëhet e ditur se në takim me Mogherinin, Brnabiq do të bisedojë për perspektivën e Serbisë drejt BE-së, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi, njoftojnë mediet serbe, transmeton televizioni publik.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së organizon këtë takim me vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të aktivitetit të procesit të Berlinit, ku ka për synim fuqizimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
Në këtë takim marrin pjesë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë Zoran Zaev, i Malit të Zi Dushko Markoviq , kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq.