Britania e Madhe ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e obligimeve të marra nga dakordimi i 27 shkurtit të vitit të shkuar në Bruksel.
Në një përgjigje për KOHËN, nga Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka thënë se e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e ambicien për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Lehtësuesit kanë qenë të qartë se i konsiderojnë marrëveshjet e arritura në Ohër dhe Bruksel vitin e kaluar, si të detyrueshme dhe të dyja palët duhet t'i zbatojnë plotësisht këto detyrime”, thuhet në përgjigjen e ambasadës britanike.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia patën arritur Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.
Marrëveshja parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.
Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, një vit më vonë, nga të gjitha pikat e marrëveshjes u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.
Edhe BE-ja tha se dy shtetet nuk mund të integrohen pa zbatimin e marrëveshjeve. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera, të arritura në kuadër të dialogut.