Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Brezovica nuk është e bllokuar nga bora, kolonat janë shkaktuar në mungesë të parkingjeve

Brezovica nuk është bllokuar nga bora. Kështu ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, sipas të cilit veturat po ndalen nga policia në fillim të këtij vendit turistik.

“Në Brezovicë ka rënë borë 1 metër, e në disa vende edhe 1 metër e gjysmë. Policia po i ndal veturat, pasi që afër qendrës së skijimit, për shkak të reshjeve të mëdha, nuk ka mundësi parkimi. Rruga është e kalueshme, sepse ekipet tona e kanë pastruar atë”, ka thënë Kadriu për KTV-në.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, përmes një komunikate njofton se rruga në Brezovicë deri tek qendra e skijimit, është pastruar vazhdimisht nga bora, dhe nuk është bllokuar asnjëherë për qarkullim të automjeteve si pasojë e reshjeve.

“Kompania përgjegjëse dhe zyrtarë të MIT, janë në monitorim të kësaj zone, njëjtë sikur edhe të të gjitha rrugëve regjionale, nacionale dhe autostradave. Arsyeja e kolonës së automjeteve në këtë rrugë është mungesa e parkingjeve pas fluksit të madh të qytetarëve, që të shtunën ia kanë mësyrë këtij vendi turistik. Prandaj edhe Policia e Kosovës gjendet aty për të drejtuar komunikacionin e dendur. Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, kërkon nga qytetarët që përkundër rrugëve të pastruara të kenë kujdes në vozitje, veçanërisht në zonat malore, dhe të mos lëvizin pa pajisje dimërore me qëllim të evitimit të aksidenteve”, thuhet në komunikatë.