Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BQK dhe BSH organizojnë ekspozitën “Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878) dhe 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë organizojnë Ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Ekspozita është pjesë e agjendës shtetërore të organizuar nga Komisioni Qeveritar për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe do të jetë e hapur nga data 10 deri më 12 qershor 2018 në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit në Prizren.

Ekspozita përmban thesar numizmatik nga të dy shtetet Kosova dhe Shqipëria, kryesisht monedha të përdorura në trojet shqiptare gjatë etapave të ndryshme duke filluar nga shekulli I para Krishtit e deri në ditët e sotme.

Përveç thesarit numizmatik do të prezantohen edhe tekste historike, imazhe historike dhe produkte të edukimit financiar të të dyja bankave qendrore, duke prezantuar kështu një shkrirje mes numizmatikës, historisë dhe edukimit.