Arbëri

Borrelli thotë se propozimi evropian ndihmon në tejkalimin e krizave

Josep Borrell, Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor, Donika Gërvalla, Maj 2022

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka bërë thirrje të hënën Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të avancuar drejt marrëveshjes në bazë të propozimit për normalizimin e raporteve, duke thënë se kjo është e vetmja rrugë për të tejkaluar ciklin vicioz të krizave në terren.

Ai këtë e ka thënë duke raportuar para ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian të cilët janë takuar sot në Bruksel.

“I njoftova ministrat për misionin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Dialog, i cili ishte atje në emrin tim së bashku me të dërguarin amerikan, Escobar dhe me këshilltarët e politikës së jashtme të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Ata shkuan së bashku për të vazhduar diskutimet për propozimin për normalizimin e raporteve”, tha Borrell.

“Avancimi në këtë propozim do të sjellë dobi të konsiderueshme për të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë ciklin vicioz të krizave në terren dhe për të reduktuar rrezikun për eskalime të mëtejme. Presim përkushtim serioz dhe gatishmëri për angazhim konstruktiv për të siguruar avancimin në këtë propozim”, ka thënë Borrell, duke folur para gazetarëve pas përfundimit të takimit të Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Shumica e ministrave të BE-së, është shprehur, se dëshirojnë të shohin normalizimin sa më të shpejtë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo siç janë shprehur ata, është në dobi të stabilitetit në tërë rajonin dhe në tërë Evropën.

I Dërguari i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ishte në vizitë në Kosovë dhe Serbi, i shoqëruar nga i dërguari amerikan Escobar, por edhe nga tre këshilltarët e lartë nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Kjo vizitë e përbashkët, sipas diplomatëve evropianë, ka pasur për qëllim që të dërgojë mesazhin për një mbështetje të gjerë dhe të madhe për propozimin franko-gjerman, propozim i cili u ishte dhënë kohë më parë palëve dhe për të cilin tani presin që vazhdojnë negociatat dhe të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Burimet e BE-së nuk kanë mundur të saktësojnë se kur mund të zhvillohet takimi i radhës në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por kanë thënë se po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.