Një thriller: ku është Pacolli?
1.
Gjatë ditës më lajmërohen miq andej e këndej kufirit, duke më pyetur në mos di gjë për vendndodhjen e Behgjet Pacollit. Pastaj, gjatë ditës del informata se për një vizitë të shkurtër brendaditore në Tiranë, në të njëjtën kohë kur ka zbritur avioni i Behgjet Pacollit në aeroportin e Rinasit, ka qenë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Dhe gjatë ditës kuptoj se Pacollin e ka pritur në aeroportin e Rinasit ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj. Pyetja e ditës ishte a di kush ku gjendet Behgjet Pacolli? Por, pyetja e vërtetë do të duhej të ishte pse duhet të jetë e panjohur vendndodhja e z.Pacolli? Ata që pyesin se ku gjendet tash B.Pacolli e shtrojnë në bazë të nevojës së urgjencës ditore. B.Pacolli është numri i duhur prej deputeti që të sigurohet përpjekja për të bërë një qeveri sipas procedurave të parapara nga presidenti i vendit, jo domosdoshmërisht të përputhshme me Kushtetutën e vendit.
Ata që pyesin se pse duhet të jetë e panjohur vendndodhja e z. Pacolli shtrojnë një çështje parimi. Nëse të tre personazhet e përfshira në këtë fillim rrëfimi janë përfaqësues të institucioneve demokratike - aty janë një deputet, një ministër i jashtëm, një president - pse duhet të jetë sekrete vendndodhja apo eventualisht edhe përputhja e të treve në të njëjtin vend? A nuk është kundërthënie e brendshme të qenët deputet në Kuvend si simbol i transparencës dhe llogaridhënies së pushtetit me fshehjen?
2.
Gjatë ditëve në vijim do të jepen përgjigje për të dyja pyetjet. Nuk do të vonohet shumë e do të marrim vesh se ku është Pacolli dhe si arriti të jetë aty ku është. Do të marrim vesh eventualisht se çka kanë bërë apo nuk kanë bërë të tre personazhet që ai të jetë aty ku është.
Do të ishte spekulim tash të thuhet se Behgjet Pacolli arriti në Rinas me avionin e tij privat dhe qe para një vendimi praktik si t’ia bëjë më tutje për të hyrë në Kosovë pa kaluar nëpër karantinimin 14ditësh me të cilin e kishin kërcënuar autoritetet qeveritare? Si t’ia bënte të hynte në Kosovë dhe të ishte i disponueshëm për formimin e koalicionit të ri qeveritar? Si t’ia bëjë e të jetë në Kuvend të Kosovës në mënyrë që me votën e tij të vlefshme të mundësohet që – kushte tutshmërisht a jo - me shumicë votash të zgjidhet një qeveri e re sipas propozimit të presidentit Hashim Thaçi?