Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës i ka akuzuar për manipulime me të dhëna deputetët Bekim Haxhiu të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Mirsad Shkreta të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një reagim për media të shtunën, Bordi i SHSKUK-së ka reaguar për të dhënat e paraqitura nga deputetët në Komisionin për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës, më 9 mars, gjatë raportimit të ministrit Rifat Latifi.
Sipas Bordit, deklaratat “janë paraqitur në mënyrë të gabuar me qëllim të arsyetimit të kërkesës së tyre për shkarkim të Bordit të SHSKUK”.
Ky Bord është ankuar për deklarimin e Shkretës për gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020.
“Deputeti Shkreta thirrej në mes tjerash, në gjetjet e klasifikuara nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditit për vitin 2020 në SHSKUK, por qëllimshëm ‘harron’ të potencojë se në mesin e të gjeturava është kontrata për sigurimin fizik në QKUK e cila është nënshkruar disa muaj para se Bordi i tanishëm ka marrë detyrën. Të njëjtën kontratë, Bordi i tanishëm i SHSKUK e ka procesuar në Prokurori pasi që ky raport e ka klasifikuar si të jashtëligjshme shumë muaj para se deputeti Shkreta e ngritë si çështje në takimin e datës 09.03.2022”, thuhet në reagim.
Edhe
Tensione në SHSKUK
Bordi i SHSKUK-së ka thënë se Shkreta ka keqinterpretuar edhe me deklaratën për krim të organizuar me blerje të barnave në vlerë 10.2 milionë eurosh e që s’janë përdorur në SHSKUK.
“... pasi që duhet sqaruar se shifra 10.2 milion euro ka të bëjë më stokun total të të gjitha barnave dhe materialit harxhues që ka qenë i pranishëm në SHSKUK (QKUK dhe gjitha Spitalet e përgjitshme në Kosovë) në fund të vitit 2020 (duke përfshirë edhe donacionet). Të gjitha këto barna dhe materiale mjekësore janë shfrytëzuar plotësisht në muajt pasues dhe kjo sasi e stokut ka qenë më se e mirëseardhur për të ofruar shërbime shëndetësore dhjetëra-mijëra pacientëve në gjithë Kosovën në kohën e valëve të infeksionit me COVID 19 gjatë vitit 2021”, thuhet më tej në reagim.
Bordi i SHSKUK-së ka komentuar edhe deklaratat për listat e pritjes. Ky bord ka thënë se ato ekzistojnë më herët dhe s’janë bërë në vitin e fundit.
“Është e kuptueshme që pandemia COVID -19 ka rënduar këtë gjendje në disa klinika, siç ka ndodhur në tërë botën, mirëpo edhe përkundër kësaj SHSKUK përveç menaxhimit të pandemisë COVID-19 ka arritur që në shumë klinika të zvogëlojë listat/kohën e pritjes madje edhe referimet për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore (TJISHP), si p.sh. në Klinikën e Oftalmogjisë, QKUK, nga rreth 500 pacientë të referuar për TJISHP në vitin 2018, ky numër në vitin 2021 është zvogëluar në më pak se 100, ose në vlerë financiare referimet për TJISHP janë zvogëluar nga rreth 2 milion euro në vitin 2018, në rreth gjysmë milion euro në vitin 2021. Në klinikën e Gastroenterologjisë, QKUK, është arritur zvogëlimi i kohës së pritjes nga 8 muaj në 1.5- 2 muaj, e po ashtu edhe ne shumicën e klinikave zvogëlimi i kohës së pritjes për disa sëmundje krahasuar me vitet paraprake”, ka thënë Bordi i SHSKUK-së.
Bordi ka thënë po ashtu se faktorët për krijimin e listave i ka parë te numri i kufizuar i anesteziologëve dhe kosto e lartë e materialit shpenzues mjekësor.
Edhe
Haxhiu: Afro 20 mijë operacione janë bërë më pak në SHSKUK në vitin 2021
“Si shembull, vetëm për proteza të gjurit dhe të kërdhokullës për blerjen e tyre kostoja do të sillej rreth 2,5 milion euro. SHSKUK është duke hartuar planin e veprimit të detajuar për zvogëlimin e këtyre listave të cilin do t’ia paraqesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë për përkrahje”, thuhet në sqarim.
Bordi ka thënë se as deklarata e deputetit Haxhiu se “Bordi e ka vu në lajthitje qeverinë për inaugurimin e spitalit të fëmijëve”, nuk qëndron. Sipas Bordit, gjithçka për këtë proces ka qenë e organizuar nga një mekanizëm jashtë SHSKUK-së.
Ndërkaq për kontratën për ndërtimin e aneksit për Hemato-Onkologjinë dhe Nefrologjinë në QKUK, Bordi ka thënë se edhe ky projekt ka qenë i iniciuar më herët. Është shprehur i befasuar për vonesën në dhënien e lejes për fillimin e ndërtimit të aneksit, nga ana e Komunës së Prishtinës. Ka shtuar se për këtë projekt s’është kryer asnjë pagesë deri më tash.
Në fund të reagimit, Bordi i SHSKUK-së ka thënë se deputetët Shkreta e Haxhiu “kanë edhe disa të pavërteta”. Sipas Bordit, deputetët janë të frustruar “me faktin se ndikimet e tyre në emërimet dhe punësimet në SHSKUK nuk janë marrë në konsiderim nga Bordi Drejtues i SHSKUK”.
Edhe
Vendimi i SHSKUK-së, mbledhjet e Bordit me dyer të mbyllura
“Ka qenë thellësisht jo-parimore si dhe kanë keqpërdorur pozitën e tyre të deputetit për të plasuar keqinterpretime dhe manipulime me gjysmë të vërteta, me synim që përmes krijimit të një gjendje jo-reale të punës së Bordit të SHSKUK-së të ndikojnë në vendimmarrje nga Ministri i Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës. Bordi i SHSKUK njofton se do të vazhdon të punojë me integritet të lartë, si ka punuar deri më tani, bazuar në statutin e SHSKUK-së dhe legjislacionin në fuqi, për të përmirësuar shërbimet shëndetësore brenda SHSKUK me të gjitha kapacitet që ka në dispozicion”, përfundon reagimi.