Arbëri

Blinken: Dialogu Kosovë-Serbi, rruga e vetme përpara

Në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si rrugë e vetme për të ecur përpara. E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se nga veprimet e pakoordinuara me aleatët perëndimorë mund të fitohen disa vota, por jo edhe e ardhmja

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), është rruga e duhur që të dyja shtetet të ecin përpara. Këtë ai e ka thënë gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë, teksa ka bërë të qartë se nuk mund të ketë përsëritje të ngjarjeve të viteve ‘90.

“Nuk mund të kemi një përsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që e kemi parë në të '90-at. Për këtë arsye jemi të angazhuar që t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është shtegu i vetëm i duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë diçka që duhet që dy vendet të shkojnë në këtë shteg”, ka thënë Blinkeni në konferencën e përbashkët shtypi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Sekretari amerikan ka shtuar se administrata e Shteteve të Bashkuara (SHBA) do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’i mbështetur dialogun dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt integrimit në BE.

“Dua ta përgëzoj edhe rolin e Shqipërisë që ka qenë një forcë për stabilitet rajonal, për integrim rajonal dhe progres rajonal. Ky është shtegu që kaq qartazi i vë të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë. E dimë se cila është alternativa pasi që e kemi përjetuar, e kemi parë. Prandaj, jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur të gjitha vendet e rajonit që ta ndërmarrin këtë shteg dhe ta mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është shprehur Blinkeni.

E kryeministri Rama ka thënë se Kosova nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa konsultime dhe pa koordinime me aleatët strategjikë. Ai ka vlerësuar se nga veprimet e pakoordinuara mund të fitohen disa vota, porse jo edhe e ardhmja.

“Edhe sot dua ta përsëris, pas diskutimit, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakonsultuar dhe të pakoordinuar me aleatët tanë strategjikë, sepse është në radhë të parë në interes të tyre dhe pastaj edhe të aleancës sonë. Nga veprimet e pakonsultuara dhe të pakoordinuara mbase mund të fitohen ca vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Kosova duhet të veprojë drejt përmbushjes së kërkesave që janë në tryezën e dialogut.

“Ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe pa diskutim, se jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e këtij dialogu, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë. Jemi të vetëdijshëm edhe për faktin se në momente të caktuara, si sulmi terrorist në Banjskë, Serbia nuk e ndihmon gjithmonë si duhet procesin. Por në radhë të parë shqiptarët e Kosovës e pastaj të gjithë ne së bashku, duhet të jenë të vetëdijshëm se është në interesin tonë e të Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha kërkesave që janë në tryezën e dialogut”, ka thënë Rama. Ai nuk i ka cilësuar si kërkesa shtrënguese ato që po i kërkohen Kosovës nga ndërkombëtarët.

“S’janë as kërkesa që Kosova të lëshojë një milimetër nga dinjiteti, sovraniteti e ardhmëria e vet. Janë kërkesa që bëjnë të mundur, përmes realizimit të tyre, krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës, si një republikë që meriton të gjithë respektin, mbështetjen, besimin e aleatëve tanë strategjikë, pa të cilët e ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja shumë më e ndërlikuar”, ka thënë ai.

Pas tetë vjetësh mungesë, të enjten Shqipërinë e ka vizituar një sekretar amerikan Shteti. Gjatë aktiviteteve dhe takimeve që ka pasur në Tiranë, Blinken ka thënë se ndien ngrohtësi kur është në tokën e shqiponjave. Ai fillimisht ka zhvilluar një takim me stafin e Ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa më pas është pritur edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në takimin me një grup të rinjsh, të cilët kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara, Blinkeni ka shprehur konsiderata për kryeministrin Rama.

“Ju falënderoj për mikpritjen e mrekullueshme në vendin e shqiponjave. Unë e pashë sot në rrugët e Tiranës, mund të shikoni energjinë për të ardhmen, një e ardhme e integruar me Perëndimin, Evropën, botën. Vitin e kaluar një numër rekord turistësh vizituan Shqipërinë, ekipi juaj i futbollit u kualifikua për herë të 2-të në Kampionatin Evropian. Më 2016 ishte hera e fundit që një sekretar Shteti vizitoi Shqipërinë, ndoshta unë do të vij gjatë finaleve të Kupës Evropiane dhe ndoshta mund t’ju ndihmoj”, është shprehur Blinkeni. Ai ka falënderuar shtetin shqiptar edhe për pritjen që u ka bërë refugjatëve afganë, pas tërheqjes së forcave amerikane.

Tek ka qëndruar përkrah Blinkenit në objektin e Piramidës në Tiranë, Rama e ka nisur fjalimin e tij me urrejtjen që ish-diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, e pati mbjellë te shqiptarët për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Diktatori ynë, për të cilin kjo piramidë u ndërtua dhe për të cilin u dedikua si tempull i përjetshëm, po rrotullohet në varrin e vet sot. Ai na rriti me urrejtjen për t’ju luftuar, ai na mësoi t’ju urrenim juve, por sot ne ju mirëpresim. Ky tempull sot i zgjeron horizontet e rinisë sonë”, ka theksuar Rama.

Vizita e sekretarit të Shtetit, veç marrëdhënieve dypalëshe, është përqendruar edhe në sfidat me të cilat ballafaqohet aktualisht Ballkani Perëndimor.