Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova qëndron te oferta për të ofruar zgjidhje teknike të bazuara në planin e përbashkët me shtetet e QUINT-it, sa i përket rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me kesh dhe transparencë, palët do të sjellin ide konkrete se si do të duket një zgjidhje afatshkurtër, gjithmonë duke respektuar vendimi ne BQK-së. Republika e Kosovës qëndron te oferta e saj për të ofruar zgjidhje teknike të bazuara në planin e ndarë me shtetet e QUINT-it”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.
Bislimi ka thënë se në takimin e të martës në Bruksel, Serbia sërish ka refuzuar Marrëveshjen bazë dhe zbatimin e saj.
“Kemi përmendur një sërë çështjesh, ku janë adresuar edhe disa shkelje të marrëveshjeve nga Serbia, si ato për energji, për telekomunikacion dhe pengim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Bislimi.
Sot [e martë] u arrit dakordimi mes Kosovës dhe Serbinë që të dërgohen propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit. Palët kanë kohë deri të premten për t’i dërguar propozimet, e më pas ato do të diskutohen të hënën në Bruksel në takimin mes kryenegociatorëve.