Faton Bislimi, drejtor ekzekutiv i Ligës qytetare shqiptaro-amerikane, ka thënë se pala kosovare duhet ta intensifikojë angazhimin e saj në dialogun me Serbinë. Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë pasive.
“Është faza kritike e dialogut me Serbia, ku pala serbe ka intensifikuar përpjekjet e veta për të ndikuar aty ku shqiptarët i kanë fituar betejat politike, si Kongresi i Kombeve të Bashkuara. Ditëve të fundit ka një angazhim shumë më intensiv të palës serbe për të ndikuar në krijimin e një imazhi më pozitiv për Serbinë gjë që me faktet historike që gjenden në anën tonë, mendoj se nuk ia lëmë Serbisë mundësinë që të paraqitet ashtu siç nuk është”, ka thënë ai.
Bislimi ka përsëritur se Kosova duhet “të vërtetën e vet historike ta hedh në pah në çdo moment”.
“Ne duhet të jemi proaktiv që të mos lejojmë që kauza jonë të shmanget. Ideja është të mos jemi pasiv”, shtoi ai.
Duke folur për iniciativën e Ballkanit të hapur dhe nëse Shqipëria po i shërben Serbisë për ta pastruar fytyrën e saj me të, Bislimi ka thënë se nëse një gjë e tillë e vërtetë, ajo do të ishte shumë e rëndë për shqiptarët.
“Do të ishte e rëndë të besohej që një qeveri shqiptarë me vetëdije t’i shërbente një kauze që shpërfytyron pozitivisht Serbinë, iniciativa e Ballkanit të hapur kuptohet ndryshe, ka një botëkuptim tjetër nga Shqipëria. Serbët historikisht në marrëdhëniet e tyre kanë qenë selektiv, kanë shfrytëzuar edhe momentet më tragjike për interesat e veta. Te komuniteti shqiptar ekziston një bazament që nuk ndryshon dhe ai ka kauzën kombëtare shqiptare, nuk ka asgjë më me relevancë”.
Ndërsa, për Qeverinë e Kosovës, ka thënë se duhet të angazhohet më shumë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Suksesi ynë më i madh do të jetë kur e lexojmë mesazhin e tyre (SHBA-së) politik, që është midis rreshtave”.