Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas dorëzimit të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, ka thënë se janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike, për çka ka thënë se do të duhej të vlerësohen dhe theksohen më shumë në këtë raport.
Në konferencën e mbajtur të mërkurën me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovës, Thomas Szunyog, Bislimi ka thënë se BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian.
“Janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike që do të duhej të vlerësohen e theksohen më shumë në këtë raport meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike. Edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian. Mosnjohja e plotë nga 27 vendet anëtare të BE-së, vazhdojnë ta dobësojnë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për këtë raport, Bislimi ka thënë se Kosova është vlerësuar edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal, për çka ka përmendur nevojën për të mos jetuar nën frikën se mund të ketë konflikt në rajon.
“Kosova është vlerësuar edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal, qytetarët në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti të mundshëm nesër, por të punojnë për një të ardhme të përbashkët. Si qeveri e kemi përgjegjësinë për ta ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Kosova merr pjesë dhe kontribuon në pothuajse të gjitha marrëveshjet rajonale”, është shprehur ai.
Bislimi ka theksuar se vendi gjendet më prapa në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe ka indikatorë më të pafavorshëm për shkak të disa specifikave, për çka ka nevojë për mbështetjen shtesë të bllokut evropian.
Edhe
Bislimi: Kosova shënoi zhvillim ekonomik krahas barrierave
“Sa i përket kuvendit, duhet të kemi parasysh që ai dhe efikasiteti i tij matet me numrin e ligjeve të miratuara dhe ushtrimin e suksesshëm të funksioneve të tjera mbikëqyrëse dhe jo me atë se a është arritur kuorumi apo a ka arritur që të mbahet një numër i mbledhjeve. Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, liberalizimi i vizave, përkushtimi në bashkëpunimin rajonal konfirmojnë se jemi duke bërë hapin e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane. Largimi i masave nga BE-ja do ta kthente besimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse beson në të ardhmen e vet evropiane”, ka deklaruar më tej Bislimi.
Zëvendëskryeministri ka shtuar se ky raport nuk e vlerëson Kosovën me notën “progres i limituar”, por janë disa fusha në të cilat është vlerësuar e tillë.
“Raporti nuk e vlerëson Kosovën me notën progres i limituar. Raporti vlerëson të gjitha fushat, kapitujt. Z.Szunyog theksoi i listoi fushat në të cilat Kosova ka pasur progres, pak progres e disa fusha ku Kosova ka pasur progres të limituar. Progresi mund të duket i limituar por në përqindje ai është i madh, ka pak arsye për diskutim për kualitetin edhe të vlerësimit por vlerësimi më i madh bëhet në teren kur shihet efekti i masave të ndërmarra. Situata në terren është shumë më mirë sesa që mund ta vlerësosh me miratimin e disa projektligjeve”, ka thënë ai.