Miratohen 16 komisione parlamentare
Kuvendi i Kosovës ka miratuar përbërjen e 16 komisioneve parlamentare.
Pro votuan 100 deputetë, 1 ishte kundër.
Prej 16 komisione, nëntë do të udhëhiqen nga deputetët e Listës Serbe, tri nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike dhe komunitetet nga një.
Komisionet janë këto:
Komisioni për buxhet
Komisioni për të drejtat dhe interesat e komunitetit për kthim
Komisioni për legjislacion
Komisioni për integrim Evropian
Komisioni për punë të jashtme dhe diasporë
Komisioni për arsim
Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi, tregti dhe inovacion
Komisioni për mjedis, ushqim, bujqësi, pylltari, zhvillim rural, infrastrukturë
Komisioni për shëndetësi
Komisioni për Administratë publike, digjitalizim,
Komisioni për siguri e mbrojtje
Komisioni për të drejtat e njeriut
Komisioni për mbikëqyrje të financave publike
Komisioni për mbikëqyrje të Agjencisë për Inteligjencë
Komisioni për Kulturë, turizëm dhe sport
Komisioni për Mirëqenie sociale, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe për personat e pagjetur
Sigurohen pagat e marsit, Kuvendi miraton zgjatjen buxhetore
Me 99 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar zgjatjen buxhetore edhe për marsin e sivjetmë.
Për shkak të mosmiratimit të Buxhetit 2026, shteti ka funksionuar përmes ligjit për zgjatje buxhetore edhe për dy muaj, ndërsa tani deri në miratimin e dy leximeve dhe dekretimit të Ligjit, Qeveria ka kërkuar zgjatjen me qëllim që të mos ketë pengesa në procesin e pagesave.
Sërish Lista Serbe nuk mori pjesë në votim.
Pa LDK-në, Kuvendi e miraton rezolutën për Specialen
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.
Në prezantimin e përmbajtjes, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur.
Pas leximit të përmbajtjes, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, u shpreh se ka pasur dakordim vetëm që rezoluta të vihet në rend dite e jo dakordim për përmbajtjen e saj.
Ajo kërkoi shtimin e kësaj pike: “Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të të gjitha rasteve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovës, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës mbi parimet e e paanësisë dhe barazisë para ligjit”.
Pas kësaj, Gruda u shpreh se nuk ka ndryshim të përmbajtjes dhe Kuvendi me 90 vota për e miratoi përmbajtjen e plotë.
Kundër votoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Në votim s'ishte as Lista Serbe.
Përmbajtja e rezolutës
Duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar;
Duke rikujtuar qëllimin e këtij amendamenti dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të adresuar dhe demantuar akuzat e pabazuara që burojnë nga Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës [Dokumenti 12462] i 7 janarit 2011, të cilat as pas një dekade hetimesh ndërkombëtare nuk kanë përbërë bazë për t’u përfshirë në aktakuzat e ngritura kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
Duke shprehur besimin e plotë në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë sublime e historisë sonë të lavdishme, mbi të cilën qëndron Republika jonë dhe duke nderuar sakrificat e burrave dhe grave të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, siç nënvizohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës;
Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të saktësuara në Kushtetutën e Republikës sonë dhe në aktet e standardet ndërkombëtare;
Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
Duke e vlerësuar të domosdoshme që të ritheksohen detyrimet që rëndojnë mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu si edhe mbi çdo institucion tjetër të Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve dhe parimeve kushtetuese e ndërkombëtare për administrimin e duhur të drejtësisë;
Kuvendi i Republikës së Kosovës
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
KËRKON nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ta respektojnë marrëveshjen me Republikën e Kosovës, që gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila në brendi i ka të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare. Shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të marrin përgjegjësi, nëse shkelen këto të drejta.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Betohen deputetët e rinj
Edhe rreth 20 deputetë janë betuar të enjten. Shumica prej tyre ishin kandidatë që zëvendësuan të larguarit për poste qeveritare.
Ndërkaq dy të tjerë, Uran Ismaili e Mërgim Lushtaku të Partisë Demokratike të Kosovës munguan një ditë më parë. Lushtaku u betua po ashtu sot.
Në seancën e sotme në rend dite pikë e rendit të parë u vendos rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për Gjykatën Speciale.