Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Besnik Tahiri: Antikushtetutshmëria është duke u bërë normë e kësaj qeverie

Besnik Tahiri - Fatmir Gashi - AAK - konference per media

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për media të dielën ka folur për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kushtetutesja rrëzoi pak ditë më parë Ligjin për KPK-në.

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuesese rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial e vërteton se antikushtetutshmëria në këtë Qeveri është duke u bërë normë e standard qeverisës, e në të njëjtën kohë vlerësimi dhe komentimi që vjen prej anëtarëve të qeverisë tregon mospërfilljen dhe qasjen autoritare që Qeveria e ka. Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e patolerueshme që një Qeveri për çdo vendim të Kushtetueses të ketë qëndrime politike dhe njëkohësisht të shtynë ligje që i ka kontestuar Komisioni i Venecias, dhe instanca jopolitike, joqeveritare të nivelit vendor e ndërkombëtar, dhe ato prapë të mundohen e shtyhen në miratim. Nuk ka asgjë tjetër në synim përveç se përmes ligjeve që bëhen të kapen institucionet e pavarura, institucione që në esencë e kanë mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit institucional e qeverisës në vend. Kjo logjikë duhet të ndahet, e një herë e përgjithmonë të kthehet te e drejta kushtetueses e ndarjes së pushteteve”, tha Tahiri.
Ai ka bërë thirrje që “Qeveria të ngrejë kujdesin në maksimum e të mos rrezikohen të arriturat demokratike”.

Këshilltari për çështje ekonomike i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fatmir Gashi, e ka akuzuar Qeverinë për joprofesionalizëm dhe mospërgjegjësi, për shkak të mosemërimit të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës.

Në një konferencë për media bashkë me deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri, Gashi ka thënë se kjo Qeveri do të duhej të bëjë reformën e sistemit pensional në Kosovë e jo të ngelë pa e emëruar bordin.

“Do të filloj nga Trusti pasi është temë kryesore. Qeveria nuk ka arritur të emërojë Bordin e Trustit Pensional të Kosovës. Për mua është shumë befasuese dhe e pakuptimtë që në këtë situatë krize prej vitit 2020 deri në vitin 2023 duke parë problemet në institucionet financiare të botës, të mos formohet bordi mbikëqyrës i Trustit, është e pakuptimtë. Nga kjo Qeveri kam pritur që të bëjë reformën e sistemit pensional në Kosovë, lëre më mos ta emërojë një bord shumë të rëndësishëm. Fondi pensional sot i menaxhon dy miliardë e gjysmë euro. Këto mjete të menaxhohen pa mbikëqyrje është papërgjegjësi e madhe e Qeverisë”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, këto janë gabime të pafalshme të Qeverisë.

Edhe Tahiri: Qeveria e nisi dhe do ta përmbyllë mandatin me shkelje, duke lënë kaos në administratën e shtetit Arbëri Tahiri: Qeveria e nisi dhe do ta përmbyllë mandatin me shkelje, duke lënë kaos në administratën e shtetit

“Kjo është më shumë se joprofesionalizëm, është më shumë se jopërgjegjësi. Këto janë gabim e të pafalshme që nuk mund t’i falen kësaj qeverie me këto sjellje që i bën. Trendët zhvillimore ekonomike nuk janë të sotme, janë prej vitit 2020 prej COVID-19 e luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe trendi rënës do të vazhdojë, do të vazhdojë rënia në tregjet kapitale. Ajo që mund të bëjmë ne është se mund të veprojmë që ndikimi i tyre të jetë më i vogël në tregun tonë”, ka thënë ai.

Ndërakq, Tahiri ka përmendur ngritjen e çmimeve përgjatë këtyre dy vjetëve, duke thënë se barra po peshon mbi qytetarët e Kosovës.

“Ka që një vjet e gjysmë që ne alarmojmë për ngritjen enorme të çmimeve. Ku ka logjikë që brenda dy vjetëve çmimi i rrymës të rritet tri herë? Ku ka logjikë që Qeveria në një anë të subvencionojë, e në anën tjetër prapë të rritë çmimin e energjisë elektrike? Kjo është barrë e madhe për qytetarët e Kosovës, ajo që e kemi parë në këto dy vjet është se është ngritur çmimi i shportës së konsumit, është rritur çmimi i rrymës, tatimi në pronë dhe gjithçka që merret si mbijetesë e njeriut, ndërsa rrogat kanë mbetur si në sektorin publik e ashtu edhe në sektorin privat, të njëjta”, ka thënë ai.