Besimtarët katolikë dhe protestantë të dielën festojnë Pashkët.
Mesha solemne e Pashkëve, e udhëhequr nga Ipeshkvi Dodë Gjergji në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, nisi me simbolikën e zjarrit që simbolizon ngrohjen e dashurisë hyjnore për botën dhe për të gjithë krijesat.
Imzot Gjergji tha se nëpërmjet kësaj simbolike kisha dëshiron të ftojë të gjithë njerëzit që të bashkohen rreth zjarrit të dashurisë hyjnore e t’i ngrohin zemrat e tyre, pasi të gjithë kanë nevojë dhe të drejt të bashkohen rreth kësaj dashurie.
Ai tha se në vendin tonë dhe në ditët tona janë shumë njerëz që jetojnë në terrin e frikës, pasigurinë dhe pashpresën.
“Njerëzit sot jetojnë të frikësuar, prindërit frikësohen se fëmijët e tyre nuk do të kenë të ardhme të mirë, nuk do të kenë arsim të duhur e nuk do të kenë mundësi për të siguruar gjërat e nevojshme për ta, kurse fëmijët kanë filluar ta ndjejnë frikën se do ta ndajnë zemrën sepse do të divorcohen prindërit. Të rinjtë kanë frikë se nuk arrin t’i bartin barrën e sakrificën e jetës e përgjegjësit e saja, për këta në një logjikë pragmatiste shtyjnë martesën por më vonë nëse nuk kanë frikë se akoma nuk janë pjekur, nëse martohen, kanë frikë të kenë fëmijë, pasi dëshirojnë të mos i mungojë kënaqësia liria dhe egoizmi. Nuk i mungon frika as pleqve sepse në zemrat e shumë pleqve ka filluar të ndihet frika për mungesë të dashurisë së fëmijëve të tyre ose që do të mbeten vetëm të braktisur në pleqëri. Vetëm Krishti i ringjallur mund të na nxjerr nga errësira e frikave tona, nga pasiguria e jetës dhe pashpresa, pasi na frymëzon të përqafojmë sakrificën, na siguron që do të kemi shpërblimin dhe na mëson që të mos lakmojmë të panevojshmen, të heqim dorë nga e padobishmja e të mos marrim atë që nuk na takon”, tha ai, raportoi KSP.
Gjergji po ashtu ka shprehur urimin për të gjithë myslimanët të kenë agjërim të lehtë.