Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Besa” thërret elektoratin e vet të votojë për president në Maqedoni, do zgjedhje të përgjithshme

Lëvizja Besa, që në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut kishte përkrahur kandidatin e pavarur Blerim Reka, u ka bërë thirrje votuesve të saj që të dalin në zgjedhjet e së dielës, që mbahen në rundin e dytë.

Kjo parti politike nuk ka kandidat të preferuar, por ka thënë se është me interes që presidenti të zgjidhet e të mos hyhet në krizë politike.

“Duke u nisur nga fakti që Lëvizja BESA në gjithë këtë periudhe është paraqitur si një subjekt politik mjaft serioz dhe me qasje transparente gjatë gjithë procesit në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt strukturave euro-atlantike, si dhe duke pasur parasysh që ky proces mund të dëmtohet nëse krijohet një krizë e re në institucionin e presidencës së shtetit, Lëvizja BESA si një nga aktorët kryesor politik opozitar, apelon që gjithë votuesit e Lëvizjes BESA, respektivisht qytetarët shqiptarë, të dalin më 5 Maj dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke respektuar bindjet e tyre individuale. E rëndësishme për Lëvizjen BESA është që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një President dhe mos të krijohet krizë e re institucionale gjë që do ngadalësonte proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin për media të Lëvizjes Besa.

“Po ashtu, për shkak të delegjitimimit të faktorit politik shqiptar në qeveri, pavarësisht epilogut zgjedhor në 5 Maj, Lëvizja BESA kërkon nga shumica parlamentare që menjëherë të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që realiteti politik i përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të reflektojë edhe me mandatet e deputetëve shqiptarë në Kuvend”, thuhet më tej, përcjell Koha.net.

Në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut këtë të diel garojnë Stevo Pendarovski I nominuar nga koalicioni qeverisë i LSDM-së me BDI-në dhe Gordana Siljanovska, e nominuar nga VMRO DPMNE-ja në opozitë.