Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë nëse marzha e fitimit është 6 deri në 7 centë.
Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Berjani ka thënë se ky fitim është shumë i ulët për një kompani që i duhet të paguajë dhjetëra punëtorë dhe shpenzime të tjera dhe do të detyrohej të punonte me humbje.
Ai ka shtuar se kjo shoqatë deri tani nuk ka bërë asnjë kërkesë, ndërsa tani po kërkojnë vetëm që tregu të jetë i lirë.
Reagimi i naftëtarëve vjen pas draft-vendimit të Qeverisë, që synon uljen e çmimit të derivateve deri në 12 centë.
“Nuk ka këtu arsyetime ose diçka që po mundohemi të fshehim. Një pikë e karburantit nuk mund të mbijetojë nëse e ka një marzhë fitimi 6-7 centë për litër, sepse janë mbi 20 punëtorë. Ne çka mund të bëjmë si biznes i këtij sektori, që nuk e kemi kërkuar heqjen e akcizës, është vetëm të jetë treg i lirë dhe i hapur. Nuk mund të mbijetohet. Pikat e karburantit nuk kanë marrëveshje për çmim. Këto kompani vetëm se kanë pasur çmime përafërsisht të njëjta janë në gjykatë. A duhet të jenë të gjitha çmimet e barabarta apo të ketë laramani të çmimeve ku qytetarët mund të kenë mundësi të zgjedhin ku dëshirojnë të furnizohen me karburante”, ka thënë ai.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar të mërkurën se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimit të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.
Edhe
Në ditën kur u paralajmërua lirimi i naftës, Ministria cakton marzhën e fitimit
Sipas MINT-it, ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
Berjani ka thënë se të mërkurën janë takuar me zyrtarë të kësaj ministrie, për çka kanë dalë kundër këtij draft-vendimi të MINT-it.
“Ne ishim sot në atë takim. Mund të flas edhe për vendimin e mëhershëm 3-mujor që e kemi përballuar me vështirësi shumë të mëdha dhe shumë kompani janë pranë falimentimit sepse ka qenë një vendim i gabuar. Ne ia shprehëm zëvendësministrit dhe e pyeta atë nëse është kryeministri i njoftuar për këso vendime të gabuara. Vendimi i parë qytetarit nuk i ka ndihmuar aspak, Kosova nuk e ka fuqinë ta ulë çmimin në BERZE. Në këtë situatë ku tre muaj kemi punuar në humbje, të mendohet për një vendim që është edhe më i dëmshëm. Ne jemi kundër këtij vendimi sepse është i dëmshëm për të gjitha kompanitë”, ka thënë ai.