Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berisha për deklaratën e ministres serbe: Rama nuk reagon sepse po mbron Vuçiçin

Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për, siç tha ai, mungesën e reagimit ndaj deklaratave fashiste të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke e akuzuar se po mbron presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në një bashkëbisedim me qytetarët të shtunën, Berisha ka thënë se deklaratat e ministres serbe, të cilat sipas tij justifikojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin, janë dënuar nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa qeveria shqiptare ka zgjedhur të heshtë.

Ai përmendi reagimet e Komisionit Evropian, komisioneres për Zgjerim Marta Kos, Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe të një numri deputetësh e personalitetesh në Serbi. Berisha theksoi gjithashtu se Kosova e ka shpallur Paunoviqin person “non grata”.

“Edi Rama dhe zëdhënësit e tij në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur. Jo vetëm kaq, por Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një vasal i Vuçiçit”, u shpreh Berisha.

Kryetari i PD-së akuzoi Ramën se nuk ka dënuar deklaratat e ministres serbe dhe se, sipas tij, nuk po mbron interesat e shqiptarëve.

“Kur ministrja e Aleksandër Vuçiqit deklaron se Kosova duhej spastruar etnikisht, Edi Rama e quajti një ‘çyryke’. Ajo është një raciste e egër antishqiptare, ndërsa Rama është argat i Vuçiqit dhe armik i çështjes shqiptare”, deklaroi Berisha.

Edhe Rama për Paunoviqin: Nuk reagojmë sa herë flet ndonjë çyryk nga Beogradi Arbëri 2 d. më parë Rama për Paunoviqin: Nuk reagojmë sa herë flet ndonjë çyryk nga Beogradi

Paunoviq disa ditë më parë në një intervistë në një televizion serb pati deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovës. Deklarata nxiti reagime të shumta e dënua nga ndërkombëtarët. Vetë Paunoviq i kërkoi falje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili qe distancuar nga deklarata e saj. 

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli dy ditë më parë për deklaratën e Paunoviqit, duke thënë se nuk reagojë sa herë flet ndonjë çyryk nga Beogradi që deri dje vetëm familja e vet e ka njohur. Rama ka thënë se Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka dënuar deklaratën e saj.