Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Berisha: Jonormale ngutësia për t`i emërtuar rrugët pa analizë të mirëfilltë

Një rruge në lagjen “Mati 1” në Prishtinë i është ndryshuar emri tri herë brenda pesë vjetësh. Historiani Gjon Berisha, në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, një praktikë të tillë e cilëson të dëmshme.

Sipas tij, emërtimi i rrugëve kryesisht me heronj nga lufta e fundit është veprim normal, por jo normale, sipas tij, është ngutësia për t`i vendosur emrat pa bërë një analizë të mirëfilltë, duke dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e emrave. Ai thotë se listat me emra dominohen nga emra komandantësh, por jo ushtarësh, shkruan sot “Koha Ditore”.

E cilëson të gabueshëm eliminimin e emrave nga historia e Luftës së Dytë Botërore apo Lufta Nacionalçlirimtare. Në këtë kontekst Berisha mendon se duhet marrë parasysh kontributi historik i të gjitha gjeneratave, por jo historia e re të dominojë mbi të vjetrën.

Emërtimi i rrugëve me emra të gjallësh, sipas Berishës, prodhon kundërefekt. Ai është kundër një praktike të tillë, duke e cilësuar qasjen e tillë si totalitare.

Historiani Berisha thotë se përplasjet më të mëdha për emërtime rrugësh ndodhin në fshatra, ku del në pah karakteri fisnor e klanor i një pjese të shoqërisë kosovare. Ndër të tjera, Berisha thotë se as Kosova nuk është imune ndaj fenomenit të të shkruarit të historisë nëpërmjet emrave të rrugëve... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)