Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Beogradi mund ta rinisë trenin “Kosova është Serbi”

Të gjitha punët dekorative për trenin “Kosova është Serbi”, që është dashur të qarkullonte në relacionin Beograd – Mitrovicë, kanë kushtuar 498 mijë dinarë (rreth 4.000 euro), ka deklaruar zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, transmeton Koha.net.

Ai ka vlerësuar se ky çmim është simbolik dhe se ky tren ka mundur të jetë një gjë e bukur për Serbinë, sidomos për të rinjtë.

“Fakti se dikujt nuk i pëlqen mesazhi, nuk do të thotë se ne nuk do ta përsërisim... Kosova për ne gjithmonë do të jetë zemra e Serbisë”, citon b92 të ketë thënë Kozarev sot duke raportuar për punën e Zyrës për Kosovën në vitin 2017.

Treni me mbishkrimet në 21 gjuhë “Kosova është Serbi, më 14 janar 2017 ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë.

Pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se atij nuk do t’i lejohej hyrja në territorin e saj, treni ishte ndaluar në stacionin e fundit afër kufirit me Kosovën, në Rashkë dhe ishte kthyer në Beograd.