Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bekim Sejdiu, kandidati që bashkoi Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike

Bekim Sejdiu

Foto: Driton Paçarada

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për president. Emri i tyre është Bekim Sejdiu, jurist dhe diplomat. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në arsyetimin e propozimit ka thënë se si subjekt politik kanë qenë të vendosur që të gjejnë zgjidhje për të ecur përpara dhe t'i evitojmë zgjedhjet e reja të katërta në këto dy vjet. Megjithatë, deklarimi i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti se nuk do ta votojë Sejdiun e bënë të paqartë nëse LDK-ja do të sigurojë, nëse jo të gjitha votat, të paktën prezencën formale të deputetëve të saj në seancë

Bekim Sejdiu është kandidati i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për t’u bërë presidenti i shtatë i Kosovës.

Ai u prezantua si emri konsensual mes dy subjekteve në një konferencë të përbashkët  të mbajtur të hënën në hollin e Kuvendit.

Sejdiu që ishte i pranishëm në konferencën e përbashkët të dy liderëve, ka deklaruar se angazhimi në politikë nuk ishte ndër qëllimet e tij. Ai ka arsyetuar pranimin e “ofertës” duke thënë se në rrethanat aktuale nuk do t‘i ikë përgjegjësisë.

“Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale, por sidoqoftë, duke qenë tërësisht i vetëdijshëm edhe me barrën dhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë, që t'i shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë kudo dhe kurdo që më është dhënë rasti brenda kapaciteteve të mia”, është shprehur Sejdiu.

Kandidatin e përbashkët të dy partive e prezantoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka lexuar një rezyme të shkurtër të Sejdiut dhe falënderoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, për siç tha, konstruktivitetin e treguar.

Edhe Bekim Sejdiu s’e ka bekimin e të gjithë deputetëve të LDK-së Arbëri Bekim Sejdiu s’e ka bekimin e të gjithë deputetëve të LDK-së

“Kemi qenë të vendosur që të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe t'i evitojmë zgjedhjet e reja të katërta në këto dy vjet. Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi pasur takime të gjata e diskutime të vazhdueshme e bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuara që të përcaktohemi për një emër konsensual për presidentin e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Abdixhiku.

Ndërsa ka folur për vlerat njerëzore e profesionale të kandidatit Sejdiu, Abdixhiku ka shprehur pritshmëritë për përfaqësimin e tij të pavarur dhe në përputhje me obligimet kushtetuese.

“Prej tij presim të jetë president i Republikës dhe i të gjithë qytetarëve, jo përfaqësues i dy partive apo i një shumice të përkohshme. Presim ta mbrojë rendin kushtetues, ta ruajë unitetin e vendit dhe të veprojë me pavarësi, urtësi dhe përgjegjësi në çdo rrethanë. Presim që Kosovën ta përfaqësojë me dinjitet para aleatëve tanë; të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit; të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai ka dhënë zotimin se LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen, siç ka thënë, se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak.

“Sot, përgjigja jonë ndaj jostabilitetit, kaosit e dyshimeve, është një Republikë me President dinjitoz; e me një LDK, që qëndron në origjinë - rugoviste e institucionaliste. Ajo jep individë me integritet; edhe kur nuk merr asgjë në kthim për veten. Sepse e donë shtetin më shumë se sa veten”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.

Ujdinë mes dy partive e ka mirëpritur Albulena Haxhiu, e cila aktualisht ushtron pozitën të cilën synon ta marrë Sejdiu.

“Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, ka deklaruar Haxhiu.

Fjalë të mira për kandidaturën e Sejdiut pati edhe Vjosa Osmani, e cila gjatë mandatit të saj si presidente e kishte atë këshilltar.

Osmani ishte pjesë e negociatave mes partive që çuan në marrëveshjen për kandidatin për president, por ajo theksoi se për zgjedhjen e tij në krye të shtetit mbetet edhe një test në Kuvend.

“Në fund, vendimi u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka thënë ish-presidentja, e tash deputetja Vjosa Osmani.  

Hoti i LDK-së kundër Sejdiut

Kandidati i përbashkët i Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike për president, Bekim Sejdiu, nuk e ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të partisë së tretë për kah fuqia në Kuvend.

Avdullah Hoti, ligjvënës nga LDK-ja, tha se nuk e përkrah kandidaturën e Sejdiut, për shkak se sipas tij, ky emër nuk është figurë që ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe që përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Hoti, i cili nuk ka sqaruar nëse vota kundër do të thotë edhe mosprezencë të tij në seancë, tha se kundërshtia e tij mbështetet edhe në arsye të tjera. Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në rastin në Gjykatën Kushtetuese, që e rrëzoi ekzekutivin e udhëhequr nga Hoti në dhjetor të vitit 2020, me arsyetimin se njëri nga deputetët që ka votuar ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.

“Njëkohësisht, kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike”.

E një deputet tjetër i LDK-së, në kushte anonimiteti, i ka thënë KOHËS se lidhur me kandidaturën e Sejdiut, kryetari i partisë Lumir Abdixhiku nuk është konsultuar me ta.

“Ende nuk mund ta them nëse do ta votoj, por kryetari nuk e ka diskutuar me ne kandidaturën e Sejdiut. Besoj do të mblidhemi nesër”.

Edhe Kush është Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar për president Arbëri Kush është Bekim Sejdiu, kandidati i propozuar për president

Po ashtu, një tjetër burim brenda partisë i tha KOHËS se të martën në orën 14:00 do të mblidhet Kryesia e LDK-së e më pas do të ketë mbledhje edhe Grupi Parlamentar. Rendi i ditës nuk është bërë i ditur. Por, në takim pritet që Abdixhiku ta kërkojë garancinë e deputetëve për votimin e Sejdiut për president.

Lidhur me ujdinë mes dy subjekteve, KOHA ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, por nuk ia ka dalë.

Hoti dhe Bajrami ishin ndër deputetët që para një muaji kërkuan largimin e Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë, por ai rifitoi besimin e anëtarëve të kuvendit të LDK-së.

Gojnovci e quan cinik qëndrimin e Hotit

Analisti politik Ejup Gojnovci ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë bërë një investim të përbashkët në mënyrë që kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Kosovës të jetë më e pranueshme në LDK. Për këtë arsye, sipas tij, edhe gjatë prezantimit të emrit të Sejdiut në konferencën për media, foli vetëm Abdixhiku dhe Kurti s’e mori fjalën fare.

Siç ka thënë Gojnovci, me këtë Abdixhiku deshi të dërgojë të deputetët e LDK-së mesazhin që Sejdiu është më tepër kandidat i LDK-së.

“Abdixhiku e prezantoi duke treguar ishte kandidat i propozuar fillimisht nga LDK-ja, ndonëse tha që ishte kandidat nga të dy taborët, dhe patjetër fakti që Abdixhiku foli në konferencë dhe Kurti jo, ishte një mesazh për të dërguar në shtëpinë e tij politike Abdixhiku, për të ju thënë deputetëve të LDK-së që Sejdiu është më tepër kandidat i LDK-së dhe nuk përfaqëson bindje të Vetëvendosjes”, është shprehur Gojnovci në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Sipas tij, me mosmarrjen e fjalës në konferencë, Kurti i bëri një shërbim Abdixhikut.  

“Andaj edhe Kurti për t’ia bërë një shërbim të tillë Abdixhikut dhe LDK-së, që Sejdiu të jetë i pranueshëm në LDK, nuk e mori fare fjalën. Pra ka një investim të përbashkët të Kurtit dhe Abdixhikut, që kandidatura e Sejdiut të jetë më e pranuar në LDK, ngaqë besoj se aty ka një papajtueshmëri”, ka deklaruar Gojnovci.

Të hënën LVV-ja dhe LDK-ja kanë njoftuar se janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për president.

Pas kësaj deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.  

Gojnovci e ka quajtur cinik qëndrimin e Hotit lidhur me kandidaturën e Sejdiut.

“Më është dukur jashtëzakonisht cinike ajo që Hoti prezantoi në rrjetet sociale, duke kundërshtuar apriori kandidaturën e Sejdiut. Nga ajo që lexova nuk kishte asnjë arsyetim të qëndrueshëm se pse është kundër”, ka theksuar Gojnovci.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të LVV-së deklaruan se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa LDK-ja numëron 18 deputetë. Së bashku, arrijnë minimumin prej 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm, kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvend.

Së bashku me 18 mandatet e LDK-së, 53 nga LVV-ja dhe 10 nga komunitetet joserbe janë të paktën 80 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Edhe Bekim Sejdiu, kandidati që bashkoi Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike LAJMET E MBRËMJES Bekim Sejdiu, kandidati që bashkoi Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike

Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet edhe më 61 vota.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit pritet të thirret me 5 shtator, kur konsumohet 30-ditëshi i këtij procesi. Pas konstituimit nis rrjedhja e afateve kushtetuese për Qeverinë dhe Presidentin.