Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bekë Berisha: Kurti edhe si kryeministër është pozicionuar kundër UÇK-së e Amerikës

Komisioni i AKI-së, reagimi i Bekë Berishës

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se është pozicionuar kundër UÇK-së dhe Amerikës.

Reagimi i Berishës ka ardhur pasi anëtarëat e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së nga radhët e Vetëvendosjes nuk morën pjesë të mërkurën në mbledhjen e tij ku ishte paraparë të raportonte drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

“Paramendoni kemi ardhur në një situatë ku Dick Marty ka heq dorë nga agjenda ruse/serbe dhe nga akuzat kundër UÇK-së, ndërsa Albin Kurti dhe VV-ja hala t’u e mbajt frontin. Sot, VV-ja e bojkotoi raportimin e shefit të AKI-së për këtë skandal ndërkombëtar, për të cilin Qeveria e jonë nuk e thotë asnjë fjalë. Albin Kurti tashmë është pozicionuar kundër UÇK-së dhe Amerikës edhe si kryeministër”, ka shkruar Bekë Berisha në Facebook.

Ka pasur reagime edhe nga kryesuesja e Komisionit, Ganimete Musliu e PDK-së.

"Pas raportimeve të fundit për planifikimin e vrasjes së ish-senatorit Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, e kemi ftuar drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund të ketë lidhur me rastin. Fatkeqësisht edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit, kjo mbledhje u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje. Konsideroj qe UÇK është mbi partitë politike", ka thënë ajo.