Vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, i ka reaguar deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës Artan Behrami. Në mesin e 11 personave të cilëve iu është ndaluar vizita është edhe vetë deputeti Behrami.
Këtë vendim ai e quajti shkelje të të Drejtave të Njeriut dhe të dhimbshme që Gjykata po i aprovon, siç i quajti ai, çmenduritë e Prokurorisë për izolim të ish-presidentit Thaçi.
“Vendimi i Gjykatës Speciale për kufizim të vizitave te Presidenti Thaçi është shkelje e të Drejtave të Njeriut. Është vendim krejtësisht jashtë kontekstit kohor. Është pjesë e skenarit të Gjykatës për të bërë drama dhe spektakle. Megjithatë, është shumë e dhimbshme se si Gjykata i aprovon të gjitha çmenduritë e Prokurorisë për izolim total të Presidentit Thaçi. Ju ka mbetur vetëm ta dërgojnë në Hanë për ta izoluar krejtësisht, se izolimi që po ia bëjnë në Hagë po u duket pak! Por, kot e keni. Asnjëherë nuk do të mund ta shkëpusni nga populli!”, ka shkruar ai në Facebook.
Prokuroria, fillimisht kishte kërkuar që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, ndërkohë kërkesa u miratua për 11 të tjerë. Përveç për Behramin, vizitat u ndaluan edhe për: Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin te dëshmitarët.
