Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.
Ndonëse Prokuroria kërkoi që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, kërkesa u miratua për 11 të tjerë. Pra, vizitat u ndaluan për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, \[REDAKTUAR], \[REDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, \[REDAKTUAR] dhe \[REDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin te dëshmitarët.
Ata kanë pretenduar se këta persona mund të ndalohen të vizitojnë Thaçin për arsye legjitime. Veç kësaj, edhe nëse iu ndalohet vizita tre vëllezërve të Thaçit, Prokuroria thotë se i akuzuari i ka edhe dy të tjerë që mund ta vizitojnë.
Mbrojtja e Thaçit e kryesuar nga Sophie Menegon kishte thënë se kufizimet e kërkuara janë të panevojshme dhe cenojnë të drejtat themelore të Thaçit për jetën private dhe familjen.
Veç kësaj, Prokuroria kishte kërkuar që të diskutohet gjatë vizitave për çështjen për krime lufte ose atë kundër administrimit të drejtësisë. Ndërsa, mbrojtja thotë se Thaçi nuk duhet të ndalohet të diskutojë ato që janë në domenin publik.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, konstatoi se kufizimet e kërkuara janë të nevojshme për të zbutur rrezikun e zbulimit të informacioneve konfidenciale lidhur me dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë.
Gjyqtarja thotë se këto kufizime janë vetëm tek individët për të cilët ka tregues të besueshëm që kanë marrë pjesë në vizita të paprivilegjuara në të cilat Thaçi ka zbuluar informacione konfidenciale.
Për njërin nga personat- emri i të cilit është i redaktuar, gjyqtarja thotë se është emëruar konsulent në ekipin mbrojtës në çështjen për krime lufte në bazë të një letre konfidenciale që mbrojtësi i Thaçit ia ka drejtuar administratores.
Sipas vendimit, ky person, më 1 korrik 2023 ishte pjesë e një vizite te Thaçi në të cilat ky i fundit së bashku me Behramin dhe Kastratin kishin folur lidhur me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur. Sipas gjyqtares së procedurës paraprake, ky është një indikacion i besueshëm që personi në fjalë mund të përfshihet në sjellje të papranueshme për integritetin e procedurave.
“Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat dhe faktorët e përmendur më sipër si një tërësi, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konsideron të nevojshme të ndalohet [REDAKTUAR] nga mbajtja e vizitave jo të privilegjuara me z. Thaçi në praninë e palëve të treta”, thuhet në vendim.
Për tre vëllezërit e tij, Masselot thotë se më 12 gusht dhe 1 tetor, ata, Thaçi dhe persona të tjerë biseduan për dëshmitarë të mbrojtur dhe mënyrën se si duhet të dëshmojë një dëshmitar. Po ashtu, u tha se ata biseduan edhe për dëshminë e një dëshmitari viktimë në një seancë private.
Masselot thotë se kjo ofron indikacione të besueshme që tre vëllezërit e Thaçit kanë marrë pjesë në vizita në të cilat i akuzuari ka zbuluar informacione konfidenciale.
Behrami për ndalimin e vizitave te Thaçi: Ju ka mbetur vetëm ta dërgoni në Hënë për ta izoluar
Vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për të vendosur kufizime në vizitat e Hashim Thaçit për 11 persona, i ka reaguar deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës Artan Behrami. Në mesin e 11 personave të cilëve iu është ndaluar vizita është edhe vetë deputeti Behrami.
Këtë vendim ai e quajti shkelje të të Drejtave të Njeriut dhe të dhimbshme që Gjykata po i aprovon, siç i quajti ai, çmenduritë e Prokurorisë për izolim të ish-presidentit Thaçi.
“Vendimi i Gjykatës Speciale për kufizim të vizitave te Presidenti Thaçi është shkelje e të Drejtave të Njeriut. Është vendim krejtësisht jashtë kontekstit kohor. Është pjesë e skenarit të Gjykatës për të bërë drama dhe spektakle. Megjithatë, është shumë e dhimbshme se si Gjykata i aprovon të gjitha çmenduritë e Prokurorisë për izolim total të Presidentit Thaçi. Ju ka mbetur vetëm ta dërgojnë në Hanë për ta izoluar krejtësisht, se izolimi që po ia bëjnë në Hagë po u duket pak! Por, kot e keni. Asnjëherë nuk do të mund ta shkëpusni nga populli!”, ka shkruar ai në Facebook.
Prokuroria, fillimisht kishte kërkuar që vizitat të ndaloheshin për tre vëllezërit e Thaçit, ndërkohë kërkesa u miratua për 11 të tjerë. Përveç për Behramin, vizitat u ndaluan edhe për: Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar ngjashëm si i vëllezërve të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
Prokuroria kërkesën e vet e arsyeton me pretendime se këta persona kur kanë vizituar Thaçin më herët kanë folur me zë të ulët dhe i akuzuari iu ka dhënë udhëzime që t’i përcillnin te dëshmitarët.