Prishtinë, 19 janar - Është mbajtur takimi i përbashkët konsultativ me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Këtë takim e drejtoi këshilltari i kryeministrit, z. Jahja Lluka, i emëruar edhe mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur.
Sipas njoftimit për media, në takim është diskutuar për mundësitë e intensifikimit të angazhimit dhe koordinimit më të mirë ndërinstitucional për t’u përgjigje në kërkesat e drejta të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur.
Lluka ua kujtoi të pranishmëve se takimi ishte thirrur për të shqyrtuar hapat që duhet bërë bashkërisht për të rifilluar një proces i cili ka ngecur kohën e fundit. Edhe pse nuk mund të themi se nuk është bërë asgjë, megjithatë rezultatet nuk janë të kënaqshme, në veçanti për familjarët.
Të pranishmit, pasi prezantuan punën dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve përkatëse, kompetente, paraqitën edhe vlerësimet e tyre rreth adresimit të sfidave me të cilat përballet procesi e që kryesisht ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme, çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuar dhe mundësitë për një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional për familjet e personave të zhdukur.
U kërkua nga të gjithë të pranishmit që në një afat prej shtatë ditësh të dërgojnë propozimet me shkrim, bazuar në fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, për intensifikim të përpjekjeve dhe planifikimeve më të mira të përbashkëta për zgjidhjen e kësaj problematike.