Që nga viti 2005, banorët e një pjese të fshatit Begunc të Vitisë nuk kanë qasje në internet nëpër shtëpitë e tyre. Shkaku i kësaj, ata po detyrohen ta paguajnë internetin 3G, në mënyrë që fëmijët e tyre të përfshihen në mësimin online. E Drejtoria e Arsimit në këtë komunë nuk ka shifra të sakta të rasteve të tilla.
Pa qasje në internet nëpër shtëpitë e tyre, tash e 16 vjet janë banorët e një pjese të fshatit Begunc të Vitisë.
Si pasojë, gjatë pandemisë, shkaku i mësimit online, shpenzimet e tyre janë rritur.
Xhelal Selimi nga ky fshat thotë se për çdo javë i duhet të shpenzojë nga 10 euro për internet 3G, në mënyrë që dy fëmijët e tij t’i ndjekin mësimet.
Ai tregon se përpos që ka kontaktuar me dy kompanitë kryesore që sigurojnë lidhjen në internet, u është qasur edhe autoriteteve kompetente. Por zgjidhje nuk i është bërë.
Telashe me internet, sipas Ministrisë së Arsimit, kanë edhe një numër i shkollave në Kosovë.
Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në ministri, bën të ditur se qasje në internet nuk kanë 36 nga gjithsej 776 shkolla.
“Në bazë të të dhënave të departamentit parauniversitar të Ministrisë, nga gjithsej 776 shkolla, 36 nuk kanë qasje, derisa pjesa tjetër po. Pra, bazuar në këto të dhëna, qasje në internet nuk kanë 24 shkolla në Podujevë, 4 në Deçan, 2 në Vushtrri, 1 në Leposaviq, 1 në Obiliq, 1 në Skenderaj, 1 në Shtime, 1 në Zubin-Potok dhe 1 në Zveçan”.
E drejtori i Arsimit në Viti, Basri Aliu, thotë të mos ketë numër të saktë të nxënësve në komunën e tij që kanë hasur në probleme të tilla.
Faji, sipas tij, është i kompanive që merren me këtë çështje.
KOHA ka kontaktuar edhe me kompanitë kryesore që sigurojnë kyçjen për t’i pyetur rreth telasheve në Begunc, por nuk ka marrë përgjigje.
Si pasojë e pandemisë, që nga 23 marsi i vitit të kaluar, mësimi në Kosovë është duke u zhvilluar në bazë të tre skenarëve, ku përfshihet edhe mësimi online.