Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vlerësuar se sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën virtuale në këtë vend, e kanë bërë të qartë se siguria duhet të mbetet prioritet kryesor.
Kështu u deklarua ai të dielën derisa përkujtoi viktimat e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të sulmeve terroriste.
“Sot kujtojmë me dhimbje dhe respekt të gjithë ata që humbën dhe sakrifikuan jetën në sulmin terrorist të 11 shtatorit kundër SHBA dhe demokracisë, sulme të cilat e ndryshuan botën dhe perceptimin për sigurinë përgjithmonë. Sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën tonë virtuale sjellin në vëmendje që siguria duhet të mbetet prioriteti ynë kryesor”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Ai shtoi se duhet fokus në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve për mbrojtje dhe siguri të vendeve dhe qytetarëve.
“Fuqizimi, bashkëpunimi dhe efektiviteti i institucioneve për të reaguar shpejt dhe në kohë përbëjnë çelësin e suksesit për të ruajtur të pacenuar sigurinë kombëtare”, ka shkruar Begaj.
-
Kurti: Sulmet kibernetike rrezikojnë sigurinë kombëtare, digjitalizimi prioritet i parë i Qeverisë
-
Begaj pas takimit me Blinkenin: Partneriteti ynë strategjik më i fortë se kurrë
-
Begaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër, garanci për sigurinë
-
Kurti: Kemi pasur sulme kibernetike në sistemin tonë qeveritar
-
Begaj: Shqipëria krah Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial