Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të deklarohet rreth zhvillimeve në dialogun me Serbinë, në kuadër të të cilit, si pasojë e dallimeve mes dy delegacioneve, nuk është arritur që të mbahet një takim i përbashkët. Ndonëse nuk kanë dhënë një datë për vazhdimin e bisedimeve, nga BE-ja kanë shpalosur versionin e tyre për mosarritjen e mbajtjes së një takimi trepalësh për dy ditë radhazi. Në anën tjetër, njohës të procesit të dialogut thonë se zhvillimet e fundit nuk janë shpresëdhënëse se do të ketë diçka konkrete këtë vit
Me mungesën e kushteve për takim konstruktiv, Bashkimi Evropian e ka arsyetuar mosarritjen për t’i ulur në një tryezë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Për dy ditë radhazi, përfaqësuesi i posaçëm për dialogun i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ka arritur që të mbajë takime trepalëshe me kryenegociatorët e të dyja palëve. Derisa ka folur për takimet e zhvilluara të martën dhe të mërkurën, zëdhënësi i Bashkimit Evropian nuk ka dhënë ndonjë datë për takimin e radhës.
“Pas takimeve dypalëshe me të dyja palët, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, vlerësoi nëse kishte potencial për një takim trepalësh konstruktiv, të orientuar nga rezultatet. Pasi këto kushte nuk janë plotësuar, ai vendosi që t’i vazhdonte bisedimet në nivel dypalësh me të dy kryenegociatorët. Takimet në kornizën e dialogut nga kryenegociatorët dhe në nivelin më të lartë do të njoftohen në kohën e duhur”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Dështimi për të bërë një gjë të tillë, sipas Grupit për Studime Politike dhe Juridike, tregon për paqëndrueshmërinë e procesit.
Arbër Fetahu, hulumtues në GLSP, ka thënë se duke i pasur parasysh takimet e fundit, do të ishte befasi po qe se BE-ja do të arrinte që këtë vit të organizojë një takim të nivelit të lartë.
“Nëse i shohim dy pozicionet dhe këto zhvillimet e fundit besoj që do të ishte një lloj befasie që do të kishte ulje në tavolinën e bisedimeve mes dy liderëve, edhe pse kemi ditur shumë shpesh të befasohemi me dinamikat e dialogut, sidomos kur ka pasur involvim të BE-së dhe SHBA-së për t’i ulur palët në tavolinë”, ka thënë Fetahu.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet që të përdorë mënyra të tjera për t’i bindur të dyja palët që të ulen në tryezën e negociatave.
“Më nuk po mjaftojnë vetëm ato deklarata se po hapet rruga për BE. Të dyja vendet sa më shumë që po largohen nga dialogu aq më shumë po largohen nga agjenda evropiane. BE-ja duhet të tregojë vendosmëri se ka çfarë t’u ofrojë, se ka iniciativa për vendet dhe ka në fuqi që të imponojë diçka pak më tutje, në kuptim që të dilet nga kjo ngecje”, ka deklaruar njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu, derisa ka shtuar se zhvillimet e tilla nuk i “bëjnë nder as Kosovës e as Serbisë”.
Dy palët në bisedime, që janë duke u zhvilluar në Bruksel, nuk kanë gjetur pajtueshmëri mes vete lidhur me diskutimet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa për këtë gjë ka insistuar shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, ai i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se takimet mbahen vetëm për temat me të cilat pajtohen të dyja palët.
E për zhbllokimin e një situate të tillë, Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka një zgjidhje. “Konsiderojmë që në këtë situatë ndoshta ka mundur që të përdorej parimi që më herët është proklamuar edhe nga z. Lajçak, por edhe ndoshta nga të dyja vendet, që të lihej çështja e Asociacionit për në fund të negociatave, bazuar në parimin që të mos pajtohemi për asgjë derisa të merremi vesh për gjithçka”, ka sqaruar Fetahu. Ai ka shtuar se në këtë mënyrë do të mund të vazhdoheshin diskutimet për temat e tjera
Pas takimit të mbajtur të mërkurën, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, njëherësh edhe shef i delegacionit të Kosovës, në një deklarim para mediave, ka thënë se me përfaqësuesin e BE-së dhe me zyrtarët evropianë është diskutuar për energjinë, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimin në nismat rajonale. Sipas tij, në takimet dyditore në Bruksel është diskutuar edhe për lirinë e lëvizjes dhe problemet që Serbia ka shkaktuar, duke mos i lejuar boksierët nga Kosova që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për rrymën në veri, derisa është shprehur optimist se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.
Lidhur me takimet e kësaj jave të delegacioneve, por edhe me zhvillimet që mund të priten lidhur me bisedimet me Serbinë, këtë të enjte nuk kanë pranuar që të deklarohen nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.