Bashkimi Evropian nuk është duke e shqyrtuar mundësinë për t’ia suspenduar Kosovës liberalizimin e vizave, shkaku i tensioneve të fundit në veri. Burime diplomatike përbrenda BE-së i kanë thënë KOHËS se kundër një mase të tillë ndëshkuese janë shprehur shumica e vendeve anëtare. Por, megjithëkëtë, blloku evropian po i shqyrton disa masa të tjera
Në strukturat e Bashkimit Evropian janë duke u shqyrtuar disa mundësi si masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të fundit në pjesën veriore të vendit, por suspendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është opsion.
Kështu i kanë thënë KOHËS disa burime diplomatike në Bruksel, duke thënë se në shumë diskutime që janë zhvilluar, shumica e madhe e vendeve anëtare e kanë kundërshtuar një gjë të tillë duke u shprehur se kjo do të ishte një goditje për qytetarët e Kosovës më shumë sesa për ato autoritete që konsiderohen përgjegjëse për situatën.
Sipas të njëjtave burime, suspendimi i liberalizimit të vizave shpesh lidhet më shumë me çështje të sigurisë dhe të migracionit sesa me arsye politike ndërkaq suspendimi do të ishte mjaft i vështirë edhe nga aspekti procedural. Por nëse situata do të përshkallëzonte në të ardhmen dhe që kjo do të krijonte probleme të sigurisë, atëherë do të mund të paraqitej edhe kjo ide.
Për momentin, thonë këto burime, në BE nuk ka fare gatishmëri për një gjë të tillë, por gjithsesi po shqyrtohen disa masa të tjera.
Njëra prej masave të para që pritet të jenë për Kosovën është suspendimi i një nënkomiteti, i cili në kuadër të marrëveshjes së stabilizim-asociimit ekziston mes Kosovës dhe BE-së. Ky do të ishte një sinjal i parë ndaj Kosovës, ndërsa masat e tjera do të shqyrtoheshin në të ardhmen, varësisht nga zhvillimi i situatës në terren.
Në anën tjetër, as propozimet për ndëshkime financiare ndaj Kosovës nuk kanë hasur në përkrahje në vendet anëtare të BE-së. Këto burime kanë thënë se mundësia e suspendimit të fondeve për Kosovën nuk është tash duke u shqyrtuar fare ndërsa vetë fakti se nuk ka përparim në zbatimin e marrëveshjeve e si pasojë do të jetë edhe moszhvillimi i konferencës së donatorëve, është një lloj sanksioni për të dyja palët.
Po ashtu ka edhe ide të tjera që të pezullohen disa takime bilaterale, por gjithsesi, thonë burimet diplomatike në BE, në këtë kohë paksa të acaruar në opinion është e tepërt që të ekzagjerohet me ide të ndryshme.
Burimet e BE-së thonë se ekziston një kuptim se ka një frustrim të madh me veprimet e autoriteteve të Kosovës, por masat nuk do të shqyrtohen me nxitim, por varësisht nga situata në terren.