Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja pa qëndrim ndaj propozimit të Kurtit për reciprocitet

Foto: Driton Paçarada / KD

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë eksplicite e kanë kundërshtuar idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për aplikimin e masave të reciprocitetit, pas të cilave do të hiqej taksa prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, qendrat evropiane insistojnë për heqjen e taksës, por nuk kanë komentuar paralajmërimet për futjen e masës së reciprocitetit.

Kurti, pas marrjes së detyrës së kryeministrit, më 3 shkurt, ka deklaruar që taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, duke e konsideruar këtë masë si një parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që nuk e mbështetë idenë e Kurtit për futjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që ambasadori Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën pa e zbatuar reciprocitetin.

Gjatë vizitës në Prishtinë, para se të zgjidhej qeveria e re, Grenell porositi që heqja e taksës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë edhe me ndërprerjen e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.

“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që ka dalë pas letrave të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo.

Edhe Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë Arbëri Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë

Në letrën që ai ia ka dërguar Kurtit me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë që tash “është koha për realizimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, gjë që është me rëndësi thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”.

Të plotë mund ta lexoni në REL