Me gjithë insistimin e Serbisë për të pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës me simbolet e saja shtetërore në ngjarjen Dita e Hapur e BE-së në Bruksel, një gjë e tillë siç duket ka dështuar.
Dje u raportua nga mediat në Serbi se ishte misioni serb në BE që është ankuar në Bashkimin Evropian për çështjen e simboleve të Republikës së Kosovës, dhe se kërkesa e tyre ishte aprovuar duke u hequr kështu çdo simbol i shtetësisë së Kosovës nga kjo ngjarje.
Por sot, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, përmes profilit zyrtar në Twitter, ka shpërndarë disa fotografi nga shtandi ku po prezantohen produkte vendore të Kosovës, e ku nuk mungojnë simbolet shtetërore.
“Shtandi i Kosovës në Komitetin Evropian të Rajoneve i gatshëm të mirëpres vizitorët e Ditës së Hapur të BE-së. Ejani dhe shijoni verën nga rajone të ndryshme të Kosovës dhe shijoni flinë e shijshme tradicionale”, shkruan në llogarinë zyrtare të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, raporton Koha.net.
#Kosovo stand at the European Committee of the Regions ready to welcome visitors of the EU open day - come and taste wine from different regions in Kosovo and taste some delicious “Fli” traditional pastry! #EUOpenDay #Kosovo ???? pic.twitter.com/aEXilIVICa
— KOSOVOinBrussels?? (@KSEmbBxls) May 5, 2018
Dje, agjencia serbe e lajmeve “Beta”, raportoi se në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian në Bruksel janë larguar të gjitha simbolet dhe shenjat me të cilat Kosova prezantohet si shtet pas një note proteste nga vetë Serbia në drejtim të BE-së.
Por, megjithatë, shtandi i Kosovës është vendosur të enjten dhe të premten në kuadër të ngjarjes “Ditët e Zgjerimit” në Komitetin e Rajoneve dhe i njëjti shtand është prezantuar edhe të shtunën, kur BE hap dyert e të gjitha institucioneve të saja për qytetarë në prag të Ditës së Evropës.
Andrew Gardner, zëdhënës i Komitetit të Rajoneve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbo-kroate se është marrë vesh që shtandet nuk mund të kenë të prezantuara flamuj nacionalë. Siç kanë sqaruar organizatorët, materiali promovues që u ofrohet qytetarëve i takon atij vendi a rajoni i cili prezantohet në shtand.
Misioni Serb në BE të premten tha se janë “hequr dy pano nga shtandi i Kosovës, ku gjendej stema dhe emërtimi ‘Republika e Kosovës’”. Sipas njoftimit të tyre, organizatorët kanë siguruar se “ata nuk do të qëndrojnë në shtandin e njëjtë” as me rastin e mbajtjes së Ditës së dyerve të hapura. Kjo erdhi pasi Misioni serb më herët gjatë të premtes njoftoi se ka dërguar një notë proteste ndaj presidentit të Komitetit Evropian të Rajoneve “me rastin e përdorimit të simboleve shtetërore të të ashtuquajturës Kosovë në festivalin ‘Krenar për rajonin tim dhe kulturën e tij’”.
Siç thanë në njoftimin e parë, Misioni i Serbisë në BE në notën protestuese ka thënë se pret nga Komiteti i Rajoneve që “në tërësi të respektojë qëndrimin për neutralitetit ndaj statusit të Kosovës e Metohisë nga BE-ja, si dhe të hiqet çdo dokument promovues që përmban simbole të së ashtuquajturës Kosovë”.
Por, zëdhënësi i Komitetit të Rajoneve, Andrew Gardner, në një deklaratë për REL-in në gjuhën serbo-kroate, ka thënë se në dy ditët e fundit në ambientet e këtij Komiteti janë mbajtur “Ditët e zgjerimit” që kanë përkuar me Ditën e Dyerve të Hapura në institucionet e BE-së.
Me këtë rast, Komiteti i Rajoneve u ka ofruar rajoneve evropiane të jenë të përfaqësuara, por, siç shkruan REL, ky institucion nuk ka pranuar asnjë notë proteste nga ana e zyrtarëve nga Beogradi.
Ofertës së Komitetit të Rajoneve, nga Ballkani Perëndimor iu përgjigjën pozitivisht, mes tjerash, Kosova, Mali i Zi, Vojvodina dhe Brçko (qytet në Bosnjë e Hercegovinë) dhe shtandet e tyre ishin prezantuar nga e enjtja, kurse e shtuna është dita e fundit.
“Politika jonë e vetme ka qenë se s’mund të paraqiten flamuj kombëtarë. Kjo është respektuar deri në fund”, ka konfirmuar Gardner.
Organizatorët, në kushte krejtësisht anonime, kanë sqaruar për REL-in se të enjten ka ardhur deri tek disa fjalosje nga përfaqësuesit e Beogradit të cilët morën pjesë në ngjarjen “Ditët e zgjerimit”.
Sipas këtyre burimeve, vërejtja e parë e Beogradit kishte të bënte me mungesën e përkthimit serb gjatë konferencës ku pjesëmarrësve nga Serbia u është thënë të përdorin kanalin e gjuhës kroate, ndërsa e dyta ka qenë shtandi i Kosovës.
Burimet e njëjta kanë konfirmuar po ashtu se iniciativa për shtandet nga rajonet evropiane daton qysh para disa muajsh, dhe se “të gjitha ambasadat, përfshirë edhe atë serbe, kanë qenë të informuara për shtandet dhe materialet promovuese që do t’i prezantojnë”.
“Deri të premten, askush nga Ambasada nuk ka pasur ndonjë kundërshtim apo paralajmërim për mundësinë e përmbajtjes së materialeve promovuese nga Kosova”, i është thënë REL-it nga Komiteti i Rajoneve.
Serbia këtë vit nuk e ka pasur shtandin e saj në kuadër të manifestimit të Komitetit të Rajoneve.