Arbëri

BE-ja fton të mos përdoret dialogu për “argumente afatshkurta politike”

Edhe në Bruksel ndihet se situata politike në Kosovë mund të ketë ndikim edhe në procesin e dialogut që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së. Prandaj kanë bërë thirrje që të mos harrohet se ky dialog është kusht për realizimin e asaj që quhet ”aspirata evropiane”.

“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet të kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë pos dialogut. BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit Hoti për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri , posaçërisht në këto kohë sfiduese”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme, Peter Stano. “Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurta politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme t’u ofrojë çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Stano ka thënë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, mbesin të përkushtuar të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, pasi ata janë sinqerisht dhe thellësisht të bindur se ky është opsioni më i mirë dhe i vetëm për Kosovën.

Zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel sa më parë që të mundësojnë rrethanat, ndërsa ndërkohë Prishtina dhe Beogradi të përgatiten për diskutime, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetit politik për kompromis.

Një prej arsyeve pse disa diplomatë të shteteve anëtare të BE-së mendojnë se dialogu mund të mbetet në pritje, pos situatës aktuale në Kosovë, mund të jenë edhe pritjet që të formohet administrata e re amerikane për të parë se si do të jetë qasja e tyre.