Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka mbajtur konferencë lidhur me konkurrueshmërinë dhe gatishmërinë për eksport e financuar nga Banka Botërore dhe Implementuar nga MTI.
Shala tha se për ministrinë që ai drejton, vendimi i implementimit të projektit të financuar nga Banka Botërore i cili fokusohet në rritjen eksportuese të ndërmarrjeve në Kosovë, është një ngjarje shumë e rëndësishme.
“Ky projekt i financuar nga Banka Botërore për periudhën 5 vjeçare shihet si mundësi reale për ndërmarrjet tona që ky projekt t’ju ndihmojë në rritjen e aftësive të tyre eksportuese dhe të jenë më të konkurrueshëm në treg. Ky projekt i ka tre komponentë. Rritja e aftësive dhe mundësive të ndërmarrjeve tona për eksport, përmirësimi i infrastrukturës kombëtare të cilësisë dhe rritja e reformimit të sistemit të Inspeksionit”, ka thënë Shala, raporton “Koha Ditore”.
Ministri tha se e rikonfirmon vullnetin e tij, të MTI-së dhe të Qeverisë në implementimin e këtij projekti të Bankës Botërore që tha se do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit afarist të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Mario Guadamillas, drejtor i Departamentit për Financa dhe Konkurrueshmërisë në Bankën Botërore, tha se Kosova ka bërë progres të madh në reformën e të bërit biznes.
“Kosova, në rangimin e të bërit biznes, nga vendi 117 në vitin 2012 ka rënë në pozitën 44 në raportin e fundit. Kjo demonstron përkushtimin e lartë te Republikës së Kosovës për t’u dërguar sinjale pozitive. Ka nevojë për reforma të mëtutjeshme. Kosova ka lloje të ndryshme të inspeksioneve që e japin një kontroll të lartë të bizneseve. Qeveria e ka miratuar një koncept dokument sa i përket inspektimeve dhe ka krijuar task-forcë për reforma dhe një këshill në MTI.
Ne si Bankë Botërore jemi të lumtur që ky proces është duke u zhvilluar dhe dëshirojmë ta inkurajojmë ministrin me vazhdimin e projektit”, tha Guadamillas.
Megjithatë, zyrtari i Bankës Botërore tha se eksportet po pengohen sa i përket certifikatës së cilësisë, gjegjësisht për shkak të mungesë së njohjes së certifikatës së cilësisë.
Ai tha se projekti për konkurrueshmëri e ka për qëllim të krijojë infrastrukturë cilësore që të njihet ndërkombëtarisht.
Sa i përket vendimin për taksën 100 për qind, se a kanë presion prej ndërkombëtarëve për ta hequr, ministri Shala tha se “Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, dhe vendimet i merr vet dhe vendimi do të jetë në fuqi”.